Policia e Kosovës, Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion nga shtabi qendror që veprojnë në Gjilan, ka ekzekutuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë të ditur se i dyshuari, shqiptar, shtetas i Kosovës, V.M. (1949) në Qendrën Tregtare ETC-Gjilan, është takuar me ankuesin, po ashtu shqiptar, shtetas të Kosovës, me qëllim që t’i pranojë 21.000€ (njëzet e një mijë) kamatë-fajdeje për parat që i kishte dhënë prej vitit 2009 deri në vitin 2012 edhe përkundër që gjatë vitit 2015 i dyshuari kishte pranuar nga ankuesi borxhin bazë 6.500€, si dhe në emër te kamatës kishte pranuar edhe një sasi të konsiderueshme të hollash.
“I dyshuari nga shumën totale që i kishte dhënë ankuesit ishte 6.500€ ndërsa në emër të kamatës kishte kërkuar edhe 21.000€. Policia e Kosovës njësitet kundër krimeve ekonomike në flagrancë kanë ndalur dhe arrestuar të dyshuarin deri sa ishte duke biseduar me viktimën, i njëjti është arrestuar dhe sjellë në lokalet e Policisë së Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Hashani tha se është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit ku është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht një kartëmonedhë në vlerë prej 500€ me nr.ser.X09543876104 e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Në lidhje me rastin ka qenë i njoftuar Prokurori Shtetit dhe i njëjti ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar për 48 orë . Rasti është duke u hetuar.