Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve V.K.(1), M.I., B.N., V.K.(2), dhe M.Z., ndërsa është liruar nga akuza i pandehuri F. S.
Ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit me datën 16 – 17 Shkurt 2021, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, i kanë marrë dhe kanë mbajt nën kërcënimin e armës të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në një villë në komunën e Novobërdës, të cilët i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat pastaj ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.
Fillimisht të akuzuarat M. I. dhe M. Z. merren vesh me të akuzuarit e tjerë që të i joshin të dëmtuarit për marrëdhënie seksuale, mirëpo pas hyrjes në villë, e akuzuara M. I. në koordinim me të akuzuarit, kërkon që të hyjnë vrullshëm nën presionin – kërcënimin e armëve, më pas prangosin të dëmtuarit dhe i godasin me kondak të armës.
Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale rrëmbimi vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit V. K.(1), duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vite burgim, të akuzuarën M. I. i ka shqiptuar me 8 (tetë) vite burgim, të akuzuarin B. N. e ka dënuar me 7 (shtatë) vite burgim, të akuzuarin V. K.(2) me 7 (shtatë) vite burgim dhe të akuzuarën M. Z. me 4 (katër) vite burgim.
Gjykata ka nxjerrë aktvendim, më anë të cilit të akuzuarve V. K. M. I. B. N. dhe V. K. i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, ndërsa të pandehurit F. S. dhe M. Z. u ndërprehet sot masa e paraburgimit.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /2LONLINE/