Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Njësiti i Hetimeve Rajonale Gjilan si rezultat i një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve hetimore disa mujore kanë arritur që sot me datën 17.01.2023 të arrestojë dy të dyshuar kosovar shqiptar A.B. (1982) dhe V.S. (1992).
Arrestimi i të dyshuarve nga ana e hetuesve policor rajonal është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar lokacione të ndryshme në komunën e Prishtinës dhe Fushë Kosovës me këtë rast është arritur të sigurohen prova se të njëjtit me datën 18.11.2021 në bashkëveprim edhe me katër të dyshuar të tjerë të arrestuar më herët kanë qenë të përfshirë në një grabitje të armatosur e ndodhur në fshatin Parallovë në rrugën Gjilan-Prishtinë.
Në këtë rast të dyshuarit e lartcekur duke përdorur armë zjarri të llojit AK/47 kishin shtënë në drejtim të një kombi të një kompanie për transportimin e parave të një banke, duke arritur të grabisin një shumë të konsiderueshme parash.
Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të dy të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale për gjykatën: një (1) pistoletë e llojit TT, dy (2) karikatorë të armës së njëjtë, trembëdhjetë (13) copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, para në vlerë 2600 euro, dy (2) karikatorë të zbrazët të armës AK/47, një (1) kondak i armës AK/47, trembëdhjetë (13) copë fishekë të armës AK/47 si dhe gjatë (6) copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. të pushkës automatike.
Pas arrestimit të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Nga Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarve është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tyre do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Grabitje’’, ,, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore. /2LONLINE/