Serbi Ninoslav Gjeriq, nga veriu i Mitrovicës, në shtëpinë e të cilit, pardje pas mesnatës, është hedhur një bombë dore, thotë se është qesharake të akuzohen shqiptarët për kryerjen e aktit të tillë. Ai mendon se bombën e kanë hedhur kundërshtarët e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë.
“Në dhomë, e cila gjendet pranë tarracës në të cilën ka shpërthyer bomba, ka mundur të ketë qenë e fjetur vajza ima! Prandaj ftoj këdo që ka diçka kundër meje dhe kundër pjesëmarrjes sime në zgjedhjet në Kosovë, që të ballafaqohemi drejtpërdrejt”, ka thënë në një intervistë për gazetën serbe “Kurir”, Ninoslav Gjeriq, kandidat për këshilltar komunal nga Lista Qytetare dhe funksionar i Partisë Socialiste Serbe në veri të Mitrovicës, në banesën e së cilit para dy ditësh është hedhur një mjet shpërthyes, për të cilin dyshohet se është bombë dore, transmeton Telegrafi.
Ai thotë se nuk mund ta dijë se kush mund ta ketë hedhur bombën në shtëpinë e tij, sepse nuk është në konflikt me askënd.
“Mirëpo, meqë sulmet e këtilla janë shpeshtuar kohëve të fundi, mendoj se ato po kryhen nga kundërshtarët e mbajtjes së zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes sime ne në listën prapa së cilës qëndron Qeveria e Serbisë. Më duket paksa qesharake që për diçka të tillë të akuzohen shqiptarët, të cilët këtu janë në numër të vogël”, tha Gjeriq.
Ai më tej ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur në natën kritike kur është hedhur mjeti shpërthyes dhe thotë se diçka e tillë asnjëherë nuk i ka ndodhur familjes së tij.
Gjeriq këtë sulm e lidh me zgjedhjet lokale duke thënë se edhe një ditë më parë është hedhur një mjet shpërthyes në një lokal në Mitrovicë, që tregon se krejt kjo bëhet me qëllim të frikësimit të njerëzve që të mos dalin në zgjedhjet e ardhshme.