Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të organizatorit të Panairit të Industrisë Ushtarake (DSEI), nga data 09-12 shtator 2019, qëndroi për vizitë zyrtare në Londër. Panairi i industrisë ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar konsiderohet si njëri ndër panairet më të mëdha në botë.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama, në kuadër të këtij panairi, ka mbajtur takime edhe me zëvendëskomandantin e Komandës së Asistencës të Sigurisë të Ushtrisë Amerikane, z. Robert Moore, ku së bashku kanë biseduar për shumë çështje të rëndësishme për FSK-në, si për procesin e tranzicionit, planet për ngritjen e kapaciteteve dhe aftësive të reja mbrojtëse, si dhe për mbështetjen që Komanda e Asistencës së Sigurisë e Ushtrisë Amerikane do të mundë të ofrojë në të ardhmen për FSK-në.
Po ashtu, gjeneral Rama është takuar edhe me gjeneral major Chris Tickel, drejtor i Aftësive në kuadër të Ushtrisë Britanike, të cilin, veç tjerash, e ka njoftuar lidhur me kapacitetet aktuale të FSK-së dhe integrimin e kapaciteteve të reja sipas planit gjithëpërfshirës të tranzicionit.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjatë takimit shprehet se: FSK-ja po vazhdon ndërtimin e kapaciteteve profesionale ushtarake, bazuar në standardet më të larta, për t’i kontribuar sigurisë në bashkëveprim me partnerët e saj strategjikë.