Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në krye të një delegacioni të përberë nga kolonel Ilir Qeriqi-atashe i FSK-së në SHBA, rreshter major Genc Metaj- rreshter major i Komandës së FSK-së dhe majori Berat Shala, asistent ushtarak i KOMFSK, po qëndron për një vizitë zyrtare në Gardën Kombëtare të Ajovës.
Gjatë kësaj vizite GLT Rama dhe delegacioni i FSK-së janë pritur nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Timothy Orr dhe stafi i lartë i kësaj garde.
Gjeneral Rama gjatë vizitës së tij po ashtu ka vizituar njësitë dhe Shtabin e Përbashkët të Gardës Kombëtare të Ajovës.
Gjeneral Rama dhe gjenerali Orr në takimin që zhvilluan së bashku biseduan për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e përvojave në mes dy forcave, si dhe për avancimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Më pas gjeneral Rama vizitoi Institutin Regjional të Trajnimit, Qendrën e Trajnimit për Mbështetje si dhe Komandën e Gardës Kombëtare Ajrore të Ajovës. Gjatë takimeve që gjeneral Rama zhvilloi në këto qendra, ndër tjera, nga drejtuesit e tyre kërkoi mbështetjeje për pjesëtarët e FSK-së në fushën e mirëmbajtjes, mjekësisë ushtarake, mbrojtjes kibernetike si dhe në fushën e zhvillimit profesional të udhëheqjes.
Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së është shoqëruar nga konsulli gjeneral i Republikës së Kosovës në Ajova, Xhavit Gashi.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe rreshter majori Genc Metaj morën pjesë edhe në Paradën e Veteranëve, e cila organizohet me rastin e panairit të bujqësisë në Des Moines Iowa.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, vazhdon vizitën zyrtare në SHBA deri më 20 gusht, ku pritet të realizojë vizita dhe takime pune në Gardën Kombëtare të Ajovës.