Prifti i kishës katolike në Stubëll, Don Jeton Thaçi, në fshatin ku nisi koronavirusi në Kosovë, ka thënë se në këtë fshat situata është e qetë dhe nuk ka panik.
Ai ka thënë për Plus Tv, se janë anuluar të gjitha aktivitetet në fshat dhe ato fetare dhe gjendja është nënkontroll.
Prifti ka thënë se banorët janë izoluar dhe në karantinë.
Sipas tij, një pjesë e familjes së 77-vjeçarit, i cili dje u konfirmua se është i infektuar me koronavirus, po presin rezultatet e testeve.
Ai tha se gjendja e banorëve e të familjarëve që kanë pasur kontakt me të infektuarin është e mirë dhe se deri tani asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma të koronavirusit.
“Një pjesë e anëtarëve janë në Prishtinë e disa në Stubëll, burri infektuar ka ardhë me bashkëshorten nga Italia, është koha kur vijnë për pushim në këtë kohë, se kemi prit që Stublla do të preket nga ky virus”. Familjarët e të infektuarit presin tu bëhen testet.”
Ai tha se infektuari ka marrë pjesë në aktivitete në fshat, në rrethin familjar e në kishë, dhe nuk e dimë se a ka të infektuar të tjerë.
Ai ka folur edhe për ambulanten, për çka tha se nuk ka pas masa ekstra mbrojtëse pas situatës së fundit dhe as furnizime, tha se motrat medicinale nuk janë duke kryer shërbime sot, pasi ato banojnë në fshatin tjetër Letnicë”.
“Me sa e di nuk do të lejohet të hyjnë në fshat për shkak të masave mbrojtëse dhe ambulanta nuk është funksionale, me sa e di deri tash.
“Po presim që sot nga Ipeshkëvia të marrim konfirmimin për ndalimin e aktiviteteve fetare për këto kohë sa jemi në karantinë”.
Don Thaçi tha se gjatë ditës pritet të bëhet dezinfektimi i kishës, ambulantes dhe hapësirave tjera publike në fshat.
Ndryshe, dje rreth orës 17:30, janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë, raporton Plus Tv.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.
Sipas ministrit Arben Vitia bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20 vjeçare, shtetase e Italisë dhe një burrë të moshës 77 vjeçe, nga Stublla e Vitisë.
BURIMI: PlusTV