Me durim e kurajo kemi tejkaluar situata edhe më të rënda

Me durim e kurajo kemi tejkaluar situata edhe më të rënda

Çdo gjë kalon, çdo vështirësi ka lehtësim, çdo sëmundje ka mjekim.
Përmbajuni këshillave të institucioneve shëndetësore dhe urdhrave të qeverisë!

Nga: Dr. Arsim KASTRATI

Si mjek familjar i shumë pacientëve ndjej obligim që edhe unë të kontribuoj me disa këshilla modeste të cilat ju ftoj që ti kemi parasysh së bashku por edhe ti përmirësojmë nëse ka nevojë:

1. Mos bëni panik!
2. Mos shkoni aty ku mund të grumbullohen njerëzit, madje as në institucionet shëndetësore, pa ndonjë arsye të fortë, #rriniteshpia!
3. Pastroni duart shpesh, me ujë të ngrohët dhe sapun ose antiseptik me alkool!
4. /Ra ky virus e do të na duhet ti ndryshojmë disa nga sjelljet tona tradicionale/: mbani distancë, mos folni për dore e mos u merrni n’gryk me njerëz që nuk jetojnë së bashku me ju nën një çati! Një Mirëdita apo Tungjatjeta do të mjaftojë edhe atëherë kur do të ikë ky virus.
5. Nëse rishtas keni vizituar apo keni pas mysafirë nga vendet në të cilat ka më tepër të prekur nga gripi i coronavirusit dhe keni shenja të gripit, kontaktoni institucionet shëndetësore e nëse nuk keni shenja gripoze, #rriniteshpia!
6. Sëmundja përcillet përmes kollitjes, teshtimës e madje edhe përmes prekjes së duarve dhe prekjes së sipërfaqeve apo objekteve të kontaminuara (ndotura) nga kollitja, pështyma dhe teshtima e njerëzve të infektuar me virus.
7. Simptomat dhe shenjat e sëmundjes së coronavirusit – COVID 19, janë simptoma dhe shenja gripoze: temperaturë e ngritur trupore, dhimbje e fytit, dhimbje e kokës dhe tërë trupit, kollitje, etj.

Edhe njëherë: keni kujdes dhe mos bëni panik!

KOMENTE