Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e tretë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Nën pretekstin për armëmbajtje ishte bastisur edhe shtëpia e Naser Sejdiut, i cili ishte pensionist invalidor, ku aty policia serbo-jugosllave kërkonte vëllain e tij, Nagip Sejdiun. Meqë Nagipi nuk ishte në shtëpi, policia mori peng Naserin, të cilin edhe pse ishte i sëmurë e rrahën në objektin e policisë dhe e kërcënuan se nëse nuk dorëzohej Nagipi do t’ia merrnin peng gruan dhe fëmijët.
LEXO EDHE: Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e parë)
LEXO EDHE: Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e dytë)
Përveç bastisjeve, dhunimeve fizike dhe arrestimeve, policia serbo-jugosllave, për t’i shkaktuar pasiguri popullsisë shqiptare në Gjilan, filloi të vendoste postblloqe. Përveç postblloqeve të mëhershme që ishin vendosur në pjesët periferike të Gjilanit, ajo ngriti një postbllok në rrugën Gjilan-Bujanoc, te “Bunari i Përlepnicës” si dhe në rrugën për Malishevë, te “Kulla e Sahit Agës”. Në këto postblloqe bëhej legalizimi i kalimtarëve dhe automjeteve.
Arrestime të qytetarëve gjilanas bëheshin edhe nëpër komuna tjera. Kështu, në postbllokun në hyrje të Ferizajt ishin arrestuar Besnik Ismajli e Lulzim Osmani, të dy nga Gjilani dhe Abaz Beqiri nga Sllatina e Vitisë dhe gjyqtari hetues i Gjyqit të Qarkut në Gjilan, ua kishte shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.
Gjithashtu, më 19 gusht 1998, në postbllokun e ngritur në rrugën “Kulla e Sahit Agës”, gjatë kthimit në shtëpinë me të vëllain Bekimin, ishte arrestuar edhe Ahmet Demiri. Po ashtu, Bekim Demiri, pak çaste më vonë pas arrestimit të Ahmet Demirit, ishte ndalë nga policia serbe para stacionit policor dhe dy inspektor të sigurimit shtetëror e arrestuan nën pretekstin se kishte falsifikuar dokumentacionin e furgonit. Bekimi ishte mbajtur në arrest me pranga i lidhur për radiatori deri ora 8 e 30, të datës 21 gusht të vitit 1998. Gjatë kohës së qëndrimit brenda në stacionin policor, ai asnjëherë nuk ishte pyetur për “dokumentet e falsifikuara”, por inspektorët serbo-jugosllav kërkonin të dinin për veprimtarinë e vëllait Ahmet Demirit si dhe me kë shoqërohej vëllai i tij.
Përveç dhunës së vazhdueshme të shtetit serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve, edhe popullsia civile serbe ushtronte dhunë mbi shqiptarët, në këtë rast edhe në komunën e Gjilanit. Kështu, disa civilë serbë të armatosur, e kishin kidnapuar cigareshitësin Hysen Hysenin, të cilin në korridoret e errëta të banesave afër Xhamisë së Madhe, në qendër të Gjilanit, pasi e kishin rrahur, e gërvishtin me thikë në dorë e stomak dhe duke goditur me dorëz të revoles e kishin lënë të alivanosur dhe ia kishin plaçkitur 2000 dinarë.
Po ashtu, Sigurimi Shtetëror Serb, vazhdoi edhe më tutje me bastisje me pretekstin e armëmbajtjeve. Kështu, më 20 gusht 1998, policia serbo-jugosllave bastisi shtëpinë e Gani Kolgecit në Gjilan, i cili jetonte në Gjermani dhe të dy djemve të tij, Nijazi e Hevzi Kolgeci.
Kurse, më 24 gusht 1998, gjykatësi hetues, Novica Stoilkoviç, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan kishte marr aktvendim me numër KI nr. 42/92 për ndjekje penale sipas ligjeve jugosllave për Abdullah Tahirin nga Malisheva, Ahmet Demirin nga Gjilani, Skender Azemin nga Malisheva, Bashkim Hamdiun nga Malisheva, Njazi Kolgecin nga Gjilani, Nagip Sejdiun nga Malisheva, Shemsedin Halilin nga Malisheva, Muharrem Halimin nga Malisheva, Fatmir Mehmetin nga Malisheva dhe Fatmir Halilin nga Malisheva. Përveç Abdullah Tahirit dhe Ahmet Demirit, që ishin arrestuar dhe u ishte caktuar paraburgimi për 30 ditë, të tjerët ishin në arrati. (Vazhdon)