Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e tetë).
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Arrestimet, burgosjet dhe gjykimet, me pretekstin për “veprimtari terroriste” vazhdonin pothuajse çdo ditë në Gjilan. Sipas raportit të N/KLDMNJ, që e botonte gazeta javore “Bashkimi”, në numrin 14 të datës 2 nëntor shkruante se, me të njëjtën akuzë ishte dënuar edhe Ejup Salihu me 5 vjet burg. Në anën tjetër, gjykatësi hetues i Gjykatës së Qarkut në Gjilan, Novica Stoikoviq, më 22 tetor 1998, pas një jave të marrjes në pyetje, ia caktoi paraburgimin për një muaj Lutfi Hazirit, Ismet Hashanit, Nexhat Bunjakut, Ibrahim Uruqit, Ekrem Qerimit dhe Tajar Berishës.
LEXO EDHE: (Pjesa e parë) – (Pjesa e dytë) – (Pjesa e tretë) – (Pjesa e katërt) – (Pjesa e pestë) – (pjesa e gjashtë) – (pjesa e shtatë)
Sipas këtij raporti, me të njëjtën akuzë dhe për 30 ditë paraburgim në mungesë, iu ishte shqiptuar masa edhe Naim Hasanit, pensionist nga Gjilani, Bekim Zylfiut nga Gjilani, Nehat Ibrahimit nga Gjilani, Fatmir Salihut nga Gjilani, Skënder Bunjakut nga Gjilani, Fadil Kajtazit nga fshati Shillovë, Naser Latifit, profesor nga Gjilani dhe njëherazi veprimtar sportiv në Forumin Rinor të LDK-së nga fshati Kmetoc, Shkelzen Elmazit, profesor nga Gjilanit dhe njëherit veprimtar sportiv i LDK-së në Gjilan, Naim Behlulit nga Gjilani, nënkryetar i Forumit Rinor të LDK-së në Gjilan, Ali Jahiut nga Gjilani, Avni Kamberit nga fshati Kmetoc, Nexhmedin Azizit nga fshati Kmetoc, Nazmi Musa, profesor nga Gjilani, Nijazi Idrizit, agronom nga Gjilani, Ramiz Ramadanit, profesor nga Shillova dhe njëherazi veprimtar i LDK-së në Gjilan, Sadik Berishës nga Gjilani, veprimtar i FR të LDK-së në Gjilan, Xhevdet Hazirit nga Zhegra, Bujar Zymberit nga Gjlani, Qani Hidiqit nga Gjilani dhe Rashit Ymerit nga Gjilani. Të gjithë këta ishin në arrati, kurse një pjesë e tyre prej kohësh jetonin në perëndim.
Si të burgosurit dhe ata në arrati, nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, sipas aktvendimit Ki. Br. 42/92, akuzoheshin për veprimtari terroriste. Madje në këtë aktvendim përveç tjerash shkruante se “si pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë formuar grupe terroriste me qëllim të ndërmarrjes së aksioneve terroriste në komunën e Gjilanit”.
Në anën tjetër, ende mbaheshin në paraburgim edhe për dy muaj Abdullah Tahiri dhe Ahmet Demiri. Prej 40 shqiptarëve që ishin të akuzuar për “veprimtari armiqësore dhe terroriste”, 4 janë dënuar me 14 vjet e gjashtë muaj burg, 8 janë paraburgosur dhe 28 të tjerë ndodheshin në arrati.
Përveç maltretimeve dhe burgosjeve që bëheshin me qytetarët gjilanas, fatin e njëjtë e kishin edhe të zhvendosurit nga rajonet e luftës në Gjilan. Kështu, Bislim Bajraktari nga Resniku i Klinës ishte keqtrajtuar nga policia serbo-jugosllave. Pas mbajtjes për 4 orë në stacionin policor në Gjilan dhe pas keqtrajtimeve fizike, madje edhe me elektroshok, e kishin kërcënuar që sa më parë ta lëshonte Gjilanin.
Sipas gazetës javore “Bashkimi”, me nr. 15, të datës 9 nëntor 1998, policia serbo-jugosllave, më 29 tetor 1998, në ora 13:00, në arën e tij e kishte keqtrajtuar Basri Muratin nga fshati Kishnapolë të komunës Gjilanit, i cili ishte duke i punuar tokat në fshatin Tankosiq të Ferizajt. Sipas deklaratës së Basriut, dy policë serbo-jugosllavë, i kishin kërkuar para pas shitjes së druve, por në të vërtetë ai ishte duke mbjellë arën me grurë dhe fare nuk merrej me dru. Pas keqtrajtimit fizik i kërkojnë Bastriut që të lajmërohej në stacionin policor në Ferizaj.
Në anën tjetër, tri vetura me policë dhe inspektorë serbo-jugosllavë, të shoqëruar edhe me gjyqtarë hetues nga Gjyqi i Qarkut në Gjilan, më 3 nëntor 1998, kishin bastisur shtëpinë e Fatmir Salihut në Gjilan, por ai që nga viti 1992 jetonte në Zvicër. Vazhdon