Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (pjesa e parë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, më 1 tetor 1997, shfaqën hapur pakënaqësinë ndaj dhunës që përdorte pushtuesi serbo-jugosllav kundrejt shqiptarëve. Zhvillimet që ndodhnin në fund të vitit 1997, jepnin sinjale se gjendja e përgjithshme në Kosovë po shkonte drejt përkeqësimit. Kështu, më 27 nëntor 1997, Adem Jashari me shokë kreu një aksion të armatosur në Vojnik të Drenicës. Në shenj hakmarrje ndaj këtij sulmi, policia serbo-jugosllave vrau mësuesin Halit Geci. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, për herë të parë në publik u paraqit Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në fund të shkurtit të vitit 1998, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sulmuan policinë serbo-jugosllave te vendi i quajtur “Gjashtë Lisat” ndërmjet fshatit Qirez e Likoshan. Policia, pas humbjes së betejës nga UÇK – ja, më 28 shkurt të vitit 1998, në shenjë hakmarrje sulmoi fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë dhe vrau 24 shqiptarë. Beteja dhe masakra në Qirez e Likoshan shënon fillimin e luftës në Kosovë. Pas fillimit të luftës në Kosovë, forcat e shumta policore e ushtarake serbo-jugosllave, më 5 mars 1998, sulmuan familjen Jashari në Prekaz. Në këtë betejë, që vazhdoi më 6 dhe 7 mars 1998, u vranë 53 veta, prej tyre 21 anëtarë të familjes Jashari dhe komandanti i UÇK-së Adem Jashari. Pas epopesë së Prekazit, gjendja e përgjithshme në Kosovë, duke përfshirë edhe Gjilanin, vazhdonte të rëndohej dhe lufta zgjerohej në viset e tjera të Kosovës.
Derisa zhvilloheshin luftime në Drenicë, në mars të vitit 1998, në Prishtinë ishte mbajtur Kuvendi i III i LDK-së. Në këtë Kuvend u shfaqën pakënaqësi të mëdha dhe pjesa më e madhe e të përndjekurve politikë u larguan nga ky subjekt politik dhe krijuan parti të reja. Kjo gjendje e krijuar në Prishtinë, ndikoi edhe në Gjilan. Duke e parë gjendjen e rëndë në Drenicë, në veçanti dhe në Kosovë në përgjithësi, duke përfshirë edhe Gjilanin, subjektet politike në Gjilan, në përjashtim të LDK-së, u bashkuan dhe më 27 maj 1998, degët e partive politike u shkrinë dhe formuan forumin me emrin Bashkimi i Subjekteve Politike në Gjilan (BSPGJ), nën udhëheqjen e Bejtush Isufit. BSPGJ doli hapur në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje, më 22 qershor 1998, në tubimin e mbajtur në shkollën “Selami Hallaqi”, Abdullah Tahiri, në fjalën e tij, ftoi hapur të gjitha partitë politike dhe popullin që të rreshtoheshin përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç, LDK dhe BSPGJ, me gjendjen e përgjithshme politike të sigurisë dhe raportimin e dokumentimin e saj merrej edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), dega e Gjilanit, e cila quhej si Nënkëshill i KMDLNJ.
Sipas raportit të KMDLNJ dega në Gjilan, nga janari deri në korrik të vitit 1998, ishin evidentuar 254 raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, prej tyre 31 persona për veprimtari politike, 22 për veprimtari arsimore dhe dy raste për veprimtari humane.
Për gjendjen e rëndë në Komunën e Gjilanit, shkruante edhe gazeta javore “Bashkimi”, e datës 8 gusht 1998, që botohej në Gjilan. Aty theksohej se gjendja në Gjilan ishte e tendosur nga pushteti serb0-jugosllav dhe serbët po mobilizoheshin nga komuna e Gjilanit për luftë kundër shqiptarëve. Në raport shkruante se gjendja ishte e rëndë sidomos pas vrasjes së disa policëve serbë të Budrikës në zonat e luftës në Kosovë. Rrjedhimisht, për disa muaj ishte bllokuar rruga në Budrikë, e cila e lidhte Zhegrën me Gjilanin. Gjithashtu, policia dhe ushtria serbo-jugosllave i kishte shpeshtuar lëvizjet në Malësinë e Karadakut, në kufirin Kosovë – Maqedoni. Sipas të përjavshmes “Bashkimi”, më 4 gusht 1998, kjo zonë kufitare ishte vëzhguar edhe me helikopter. /2LONLINE.com/
(Vazhdon)