Nga Sabit RRUSTEMI
GËRMIMET POETIKE TË AGIM GJAKOVËS
Titulli i këtij shkrimi për poezinë e zgjedhur të Agim Gjakovës, rrjedhimisht është diktuar nga vetë titulli i librit, GËRMIME NË ETJE, “kumbar” i të cilit titull është vetë përzgjedhësi dhe hartuesi i parathënies, prof. dr. Anton Nikë Berisha.
Po e përmend këtë që në fillim, ngase tek unë (e besoj dhe tek të tjerët) titujt e librave, apo dhe të shkrimeve në përgjithësi, zgjojnë interesimin, madje dhe grishin për të ditur se si e gjeti a ku e mori, qoftë autori apo dhe redaktori a përzgjedhësi (si në rastin konkret) këtë titull.
Rëndom, sipas një rregulli të pashkruar, titujt nxirren nga teksti i autorit, në të shumtën e rasteve, mirëpo, ka edhe përjashtime, sidomos në fushën e publicistikës, kur titujt e vënë, përthekojnë në një mënyrë tërë materien e shkruar dhe të përmbledhur brenda kornizave e që identifikohet përmes titullit.
Nisur nga ky titull, i cili përmbledh në vete tërë ajkën e poezisë së shkrimtarit Agim Gjakova, shkruar e botuar brenda shtatë dekadave krijimtarie, ti nis dhe e lexon librin nga fillimi e deri në fund dhe, në asnjë poezi të tij, (prej të gjithave që janë përfshirë në këtë libër) nuk e gjen fjalën “gërmime”.
Po prej nga dhe pse ky titull, që mund të mos jetë vetëm preokupim i imi.
Jemi mësuar tashmë, madje edhe pa e përdorur fare “Fjalorin e gjuhës shqipe” që, posa të përmendet kjo fjalë, të na shkojë mendja për gërmime në tokë, që nënkupton në rend të parë gërmimet arkeologjike, gërmime gjeologjike, gërmime nëntokësore etj.
Përjashtohet dosido togfjalëshi “gërmime ndërtimore’, edhe pse mund të përdoret një tjetër togfjalësh në raste të fatkeqësive natyrore, tërmeteve, si p.sh.: gërmime nën rrënoja.
Po, kur bëhet fjalë për poezinë e Agim Gjakovës, kemi të bëjmë për “gërmime” krejt të një natyre tjetër.
Përzgjedhësi i kësaj poezie, studiuesi ynë i rryer i letërsisë, Anton Nikë Berisha, duke u marrë me opusin e përgjithshëm poetik të Agim Gjakovës, thellohet aq shumë në poezinë e këtij autori, në përpjekjet e tij për t’i gjetur poezitë më të arrira artistikisht, dhe arrijnë ta zbulojë etjen poetike të këtij shkrimtari, e cila, ani se nuk thuhet troç përmes vargjeve, vërehet nga “gërmimet” e profilit të këtij studiuesi, gjithsesi. Pra, e gjithë puna e tij, qoftë si përzgjedhës, qoftë dhe vlerësues i kësaj poezie, i ka ngjasuar gërmimeve në etjen e këtij poeti, jo vetëm karizmatik në letërsinë tonë, po, edhe interesant e i pa trajtuar mjaftueshëm, përkundër kohëzgjatjes prej shtatë e sa dekadash me këtë “mjeshtëri’, e cila ende s’i hiqet nga duart.
GËRMIME NË ETJE më shumë se angazhimin dhe thellimin e një studiuesi në materien poetike të një shkrimtari, identifikon në rend të parë autorin e kësaj poezie, ku, i gjithë angazhimi i tij poetik është përmbledhur dhe pikasur me një nga metaforat më të bukura që mund ta hasësh në këto dy dekada e sa të shekullit njëzetenjë, metaforës titull gërmime në etje.
Kjo metaforë e bukur dhe fort e qëlluar, e cila u nxor nga nënteksti i poezive të Agim Gjakovës, përveç se shtron edhe shumë çështje, të nxitë si lexues i thjeshtë, për t’i nuhatur, vërejtur dhe identifikuar, mbase jo në përmasat e studiuesit, po sa për të mësuar se, për ç’etje bëhet fjalë në poezinë e Agim Gjakovës, e që nuk u vërejt nga të tjerët as pas gati një dekade, kur doli në dritë kjo përzgjedhje, herën e parë (2015) nga Shtëpia botuese SAGA, apo dhe kur u ribotua me plotësime ( 2020), nga po e njëjta shtëpi…
Po i kthehemi poezisë, përkatësisht shpirtit poetik të Agim Gjakovës për të “gërmuar” më tej në etjet e tij, që tashmë janë dhe tonat, pavarësisht sa i kemi pikasur nëpër përmbledhjet e tij poetike të botuara në Shqipërinë e diktaturës, në Shqipërinë e kalimit nga diktatura në demokraci apo dhe aty ku i kishte filluar shtegtimet poetike, në Kosovë, por tash, në Kosovën e pasluftës kur iu hap “autostrada” Tiranë- Prishtinë, e cila nuk kalon më andej prej nga e dëbuan më 1960…
Ç’fat poeti …
Diku kah fundi, në faqen 240, përballesh me poezinë “Linde me përmbledhë gjithë trishtimin”, që i përket ciklit Vargje dritëbardhë e që realisht si titull përmbledhës i këtyre poezive të këtij cikli, del të jetë vetëm titull dëshire, ngase ajo që shpërfaqin vargjet, jep një pamje krejt tjetër:
Jeta poet, ta përcaktoi fatin
Ti zgjodhe të vërtetën
Dhe e vërteta ta vulosi jetën…
Ti linde për ta përfshi tanë shpirtin e kohës.
Një mision i rëndë ky, një mision përplot flijime në rrethana kohore dhe ballkanike para se gjithash, mision që në të shpeshtën e rasteve, jo pse është tepër i kushtueshëm, por duket edhe i pamundur.
Pavarësisht ecejakesh vertikale të Agim Gjakovës, që nga Kosova e pasluftës së dytë botërore, apo dhe një periudhe të shkurtër të studimeve me përplot maltretime në Beogradin e fillim viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar ku pati nisur studimet, apo më pas në diktaturën komuniste të Shqipërisë së Enver Hoxhës, fazën e tranzicionit dhe të luftës së fundit të Kosovës dhe në Kosovën e çliruar tashmë, Agim Gjakova ishte i bindur për shpërputhje të madhe mes të drejtës historike dhe asaj politike për shqiptarët, të cilët, në çdo periudhë kohore ishin treguar qëndrestarë, po që nuk arritën deri në ditët e sotme ta kenë dhe ta gëzojnë një shtet të vetëm dhe të përbashkët në Ballkan. Përkundër mospajtimeve të tij me këtë fakt, ai priste një unifikim më veprues të faktorit shqiptar, si andej apo dhe këndej Drinit për t’u arritur maksimalja e së mundshmes, por që, mjerisht nuk po ndodh sot e kësaj dite. Pra, si dje, varësisht ku ndodhej, në Prishtinë, në Beograd apo në Tiranë…, apo dhe sot, që jeton e lëviz mes Prishtinës e Tiranës, pret dhe kërkon të bëhet krejt ajo që është e mundshme e që nuk po bëhet. Dhe, ky mosveprim i brendshëm në faktorizimin dhe integrimin e kombit, e pranuam apo jo, është burimi kryesor i etjeve të këtij poeti dhe mospajtimi i tij me paritë pushtetore. Poetin, fjalët e pushtetarëve nëpër periudha të ndryshme kohore, nuk po e bindin se angazhimi i tyre, apo ky sistem është ai që u duhet shqiptarëve, apo i përmbush idealet e të rënëve.
Misioni i zgjedhur
Poezi e fundit e ciklit të parë “Drithërimë atdheu” me titull Erëra të zymta, faqe 38, e detyron ta shqiptojë të vërtetën e madhe të cilën poeti ia kishte përcaktuar vetes:
as emër as mbiemër s’donin t’i linin shqiptarit
erërat shekullore ngjizur të acarta
që frynin jug-veri
të përlanin gjithçka në këtë tokë
të fshinin dhe emrin tënd Shqipëri…
Rezultat i këtyre “erërave”, që s’ishin kush tjetër pos apetitet gllabëruese të shteteve me të cilat rrethohen shqiptarët, kombi ynë u copëtua, madje dhe me bekimin e Fuqive të kohës, mbi gjysma e tyre mbetën jashtë shtetit amë, i cili në pamundësi për t’i përmbushur amanetet e të parëve dhe të të rënëve, u vetë izolua dhe iu nënshtrua një diktati të paparë, sa, më së miri demaskohet përmes të vërtetës tjetër, përmes poezisë Ngushti ka zënë shpirti i kombit tim, faqe 37,
aq ngushti ka zënë shpirti i kombit tim
sa nuk po mund t’i rrijë Brenda
as gënjeshtra
as mashtrimi
as krimi
ku ndjenjat e njeriut të devotshëm përfundojnë në humbëtirë dhe nuk i mbetet tjetër pos në Pazar t’i blejë një palë zinxhirë për qafë.
Lexuesi i rëndomtë, duke e lexuar kujdesshëm librin me poezi të zgjedhura të Agim Gjakovës, që shtrihet në 12 cikle me gjithsej 226 poezi, një etje të pashuar me mall e dashuri gjatë kohës sa ishte i deportuar në Shqipëri, për Kosovën e, në veçanti, për Gjakovën dhe Dukagjinin e tij, i cili është i pashmangshëm në frymëzime, jo vetëm poetike, po edhe për ta pritur ditën kur do ta shohë sërish.
Spikatin këtu poezitë për Drinin e Bardhë, për Krenën, për Gjakovën, po edhe të tjera sidomos te cikli, “Muzgu i durimit, si “Balada e vorfun”, “Poema e palindur”, pastaj një poezi tjetër për Kosovën e vitit 1956, me titull Nëse hëna është plakur, po, edhe Heshtja, Sa i vabrazur paskam mbetur po thuaja edhe në secilën poezi të këtij libri, vërehet tej mase ajo dëshira e etur për të qenë atje ku mungonte me dekada, madje dhe në momentet më të rënda në të cilat po kalonte gjysma tjetër e dheut të të parëve, vendlindja e tij.
Në vazhdën e kësaj natyre ku, mbrumur me artin e fjalës shpërfaqet aq thellësisht malli e dashuria për nënën, për babën, për gruan e për figura të tjera që ishin flijuar për kombin, i ndeshim dhe te cikli “Ujvarë e prushtë”.
Në të njëjtin nivel me poezitë e trajtuara apo dhe të përmendura qëndrojnë pa dyshim dhe të tjerat, sidomos ato që trajtojnë aktualitetin apo dhe me motive dashurie, të cilat, mbështetur në atë që përmbledh ky libër, e nxjerrin Agim Gjakovën pa dyshim ndër poetët më të shquar të letërsisë sonë.
I pa vlerësuar sa duhet
Për ta rrumbullakësuar këtë shprushje vlerësuese nëpër etjet poetike të Agim Gjakovës, (duke iu shmangur atyre që i ka përmendur e vlerësuar përzgjedhësi në parathënie) të habit pak fakti se pse krijimtaria letrare e këtij shkrimtari për afro katër dekada që krijoi në Shqipëri ( 1960 – 2000 ), nuk u trajtua mirëfilli nga kritika letrare, ajo e kohës moniste. Gjatë fazës së tranzicionit ka mund të bëhet më shumë për këtë. Një orvatje kritike e Behar Gjokës deri tash, mbetet i vetmi ogur i mirë, sa rreth studimit dhe vlerësimit letrar të këtij shkrimtari.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kosovën e këtij çerekshekulli prej që iu kthye sërish Agim Gjakova. Kritika letrare e institucionet kulturore kosovare, as mjaftueshëm nuk bën për këtë emër që i qëndroi besnik parimit të pathyeshmërisë përballë sistemeve e pushteteve, të cilat nuk arritën ta përvetësojnë.
Me përjashtim të kësaj përzgjedhjeje poetike dhe parathënies shumë të thukët të studiuesit Anton Nikë Berisha, që është përpjekja e parë dhe më seriozja deri më tash që shpërfaq vlerat poetike të këtij shkrimtari, këtu, e i cili këtë vit po e jeton vitin e 90 të jetës, ndonjë trajtesë tjetër letrare a përkushtim institucional si dhe nderim, me përjashtim të Çmimit letrar “Beqir Musliu” ( 2020), nuk ka ndodhur.
Koha po troket po dhe po kërkon që të gërmohet edhe më shumë nëpër etjet poetike të Agim Gjakovës. /2LONLINE/