Shkruan: Arsim Kastrati
Kur i ushqen fëmijët me gënjeshtra, mos prit se kur të rriten do të bëhen qeveritar të mirë!
Gënjejmë edhe ne shqiptarët sikurse çdo popull i Botës e nuk ua lëmë hiç mangut as fqinjëve tanë verilindorë.
Europa plakë na ka nda, na është thënë dhe kemi besu, se kemi qenë shumë që s’e kemi ditë që, Austrohungaria europiane e ka bërë Shqipërinë nga hiqi gjeopolitik, duke krijuar një shtet për Shqiptarët e pushtuar cep më cep.
Si Shqipërinë Austrohungaria në 1912-tën, ashtu edhe Kosovën e pushtuar cep më cep dhe në prag të shfarosjes gjenocidale më 1999-tën, Amerika dhe aleatët e saj europian, e çlirojnë, ia njohin të drejtën dhe ia çelin rrugën e formimit të shtetit të pavarur.
E ne thonim dhe vazhdojmë të themi se nuk e ka çliruar Amerika dhe aleatët e saj europian Kosovën por, e kemi çliruar ne.
Për të vazhduar me gënjeshtrën e tretë e cila për dallim nga dy të parat, ka të bëjë më shumë me të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe është derivacion logjik i dy të parave.
Nëse Europa e paska ndarë popullin shqiptar dhe nëse Kosovën nuk e paska çliruar Amerika por ne, atëherë, sipas komandantëve të tastaturës: Amerika s’është tamam aleat, atë nuk duhet dëgjuar çdoherë dhe për gjithçka, mundemi ne edhe pa të.
Kujdes mendimet se të bëhen fjalë, kujdes fjalët se mund të bëhen vepra, kujdes veprat se ato ndërtojnë fatin e karakterin, thotë një proverb i lashtë kinez!
Fqinjët tanë verilindor, Serbët, e pranojnë se gënjejnë kurse ne jo.
Për periudha të gjata kohore ne Shqiptarët, e kemi gënjyer vetvetën (në të shumtën e rasteve) dhe me trauma kemi “ndërtuar” mbi të pavërtetën, herë nga mosdija, herë nga leverdia e çastit e herë nga egoja jonë inatçore.
Në fund të fundit ashtu si thonë filozofët dhe psikologët, pak gënjeshtër njeriut i nevojitet për të marr frymë, për ta bërë jetën më lehtë të përballueshme. Veç, jo shumë, jo rëndë dhe jo për kohë të gjatë! /2LONLINE/