Nga NP “Gazeta zyrtare e RM-së” konfirmuan se në numrin e sotëm është shpallur vendimi se Talat Xhaferi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Republikë së Maqedonisë, ku publikimi është me numër 53 të datës 08.05.2017, me çka ai edhe zyrtarisht do ta marrë funksionin në dhomën ligjdhënëse, transmeton TetovaSot.
Prej këtij momenti është aktivizuar edhe letra e dërguar nga Xhaferi deri tek Presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov, ku pas zgjedhjes Xhaferi paralajmëroi se seanca e ardhshme kuvendore do të konvokohet pasi që presidenti Ivanov do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë së Re, Zoran Zaevit.
Javën e kaluar nga “Gazeta zyrtare” paralajmëruan se në fillim të kësaj jave do të shpallet vendimi në numrin e parë të ardhshëm.
Xhaferi u zgjodh kryetar i Kuvendit mbrëmjen e 27 prillit pas përfundimit të vazhdimit të seancës konstitutive. Për zgjedhjen e Xhaferit votuan deputetët e LSDM-së dhe partive shqiptare, përveç Lëvizjes Besa. Për VMRO-DPMNE zgjedhja e tij është jolegjitime dhe me këtë janë shkelur Rregullorja e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetuta.
Më 4 maj Talat Xhaferi me shkresë e njoftoi presidentin Gjorge Ivanov se është formuar shumicë e re parlamentare me çka janë krijuar kushte që të ndahet mandati për formimin e Qeverisë. Shefi i vendit , siç njoftoi kabineti i tij, do të procedurojë në pajtim me Kushtetutën dhe praktikën e vendosur.
BURIMI: TetovaSot