Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Eugen Saraçini si dhe hendbollistët e Kombëtares së Kosovës në kategorinë U21 në konkurrencën e meshkujve pas fitimit të së drejtës për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Spanjë nga 15-29 korrik 2019.
Ministri i uroi hendbollistët për këtë sukses dhe iu dëshiroi suksese në këtë kampionat. “Kualifikimi juaj për Kampionatin Botëror në Spanjë është sukses i jashtëzakonshëm dhe historik. Dua të ju rikujtoj se keni përkrahjen time si ministër por edhe të Ministrisë që unë drejtoj pavarësisht rezultateve që do të sillni nga ky kampionat. Vet pjesëmarrja juaj në Kampionatin Botëror në Spanjë është një sukses i madh sepse bën të mundur që Kosova të jetë në mesin e 24 shteteve më të mira botërore”, tha ministri Gashi.
Ai po ashtu vlerësoi lart sukseset e Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe punën e hendbollistëve të talentuar që kanë bërë që Kosova të jetë e kualifikuar në Botëror.
Ndërkaq, kryetari i FHK-së, Saraçini, u shpreh i entuziazmuar me arritjen e këtij suksesi dhe pjesëmarrjen e hendbollistëve të Kosovës në këtë ngjarje.