Nazim Gagica, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan ka thënë se krijimi i një lidhjeje të fuqishme ndërmjet bizneseve të Komunës së Gjilanit me ato të shqiptarëve në Gjermani, jo vetëm që do të ketë ndikim zhvillimor në mjedisin biznesor në Gjilan, por edhe e rritë jashtëzakonisht shumë praninë e aktiviteteve të bizneseve gjilanase në tregun ndërkombëtar.
“Sot, në kuadër të vizitës sime në Gjermani, bashkë me anëtarin e kryesisë së AAK-së në Gjilan dhe në Gjermani, Ilmi Mustafën, vizituam kompaninë “Wolf gmbh”, me pronar Ukë Blakajn, njëherit anëtar i Unionit të Bizneseve shqiptare në Gjermani. Pamë nga afër aktivitetin që zhvillon ky biznes serioz e shumë i suksesshëm, ndërsa theksuam nevojën për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit me bizneset Gjilanase me ato që operojnë në Gjermani”, ka thënë Gagica.
Sipas tij, tanimë në vendet evropiane e perëndimore nuk bëhet fjalë për biznese të numëruara që janë pronë e shqiptarëve. Ato janë shumëfishuar dhe janë storie suksesi dhe shembulli më i mirë se si mund të arrihet suksesi mbi bazën e punës serioze, korrekte dhe profesionale.
“Ditët më të mira i kemi përpara, andaj duhet të jemi të vendosur ta bëjmë më të mirën për biznesin, për kulturën e arsimin, shëndetësinë e zhvillimin ekonomik, sepse kësisoj kanë ecur para të gjitha shtetet që sot janë model për të gjithë”, ka thënë Nazim Gagica i AAK-së. /2LONLINE/