“Në 72-vjetorin e lindjes së heroit tonë kombëtar, Rexhep Mala, sot bashkë me Komandantin e Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, si dhe me bashkëveprimtar të heroit, morëm pjesë në ditën e shkollës në Topanicë të Komunës së Kamenicës e cila me krenari mban emrin e Rexhep Malës”, ka thënë Nazim Gagica, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan.
Ai shtoi se po ashtu, me rastin e ditëlindjes së Rexhep Malës, u bë edhe promovimi i librit që mban titullin “Rexhep Malaj në kujtimet e mia”, të autorit Sherif Sherifi.
“Gjithmonë tek shqiptarët pati emra të mëdhenj që lanë gjurmë të pashlyera në historinë e mbushur plot me lavdi e data të rëndësishme që mundësuan kthesa historike. Edhe Rexhep Malaj përveç që u bë pjesë e pandashme e historisë së kombit shqiptar, ai u bë edhe frymëzim për shumë breza në të gjitha etapat e mëvonshme historike”, ka thënë Gagica.
Ai theksoi se mburren me jetën dhe veprën e Rexhep Malës dhe secilit shqiptar tjetër që ishte i rreshtuar në anën e drejtë të shqiptarëve. /2LONLINE/