“Sot, bashkë me afaristin dhe humanistin nga Gjermania, njëkohësisht anëtarin e kryesisë së AAK-së në Gjilan, Ilmi Mustafa vizituam fabrikën për prodhimin e rrjetave të qelqit “GRID Group”, me pronar Visar Alidema”, ka thënë Nazim Gagica, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan.
Ai ka thënë se një ndërmarrje si kjo, e nderon Gjilanin dhe krejt Kosovën. Prodhim cilësor dhe vetëm për tregun evropian dhe atë të rajonit. Me rreth 30 punëtorë dhe me prodhime cilësore të certifikuara nga mekanizma evropian të cilësisë, “GRID group” dhe Visar Alidema janë storie suksesi jo vetëm në Gjilan por në tërë Kosovën dhe më gjerë.
“Si Aleancë jemi dëshmuar në përkrahje të prodhuesve vendës, duke i mbështetur ata sa herë kemi pasur shansin qoftë nga niveli nacional i pushtetit, qoftë edhe nga ai lokal kurdo që na është dhënë mundësia. Vlerësojmë se prodhuesit vendës janë ata që gjenerojnë vende të reja pune por edhe kanë impakt të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe funksionimin normal të shtetit”, ka thënë Gagica.
Sipas tij, Aleanca ishte dhe do të jetë përherë krah prodhuesve vendës dhe atyre që mendojnë dhe kanë ide e mundësi për të hapur biznese të reja. /2LONLINE/