“Sot, bashkë me nënkryetarin e Aleancës në Gjilan, Naim Mustafa dhe me anëtarin e kryesisë, Xhevat Bekteshi, u mirëpritëm nga Grupi Parlamentar i AAK-së i udhëhequr nga Besnik Tahiri. Diskutuam për projektet infrastrukturore në Gjilan, përkatësisht zvarritjen e tyre pa ndonjë arsye për shumë kohë”, ka thënë Nazim Gagica, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan.
Ai tha se tejzgjatja e këtyre projekteve po e pengon përveç qarkullimin normal të njerëzve dhe mallrave, po krijon po ashtu humbje edhe për veprimtaritë biznesore përgjatë këtyre akseve rrugore në komunën e Gjilanit.
“Kërkuam nga GP i AAK-së që të jenë zëri i Gjilanit në Kuvendin e Kosovës dhe kudo tjetër të ushtrojnë ndikimin e tyre që këto projekte të përfundojnë dhe të krijohet mundësi e zhvillimit të Komunës së Gjilanit e cila në dy vitet e fundit ka shënuar regres në secilën pikëpamje”, ka thënë tutje Gagica i AAK-së.
Ai ka falënderuar deputetët e AAK-së për kujdesin e dëshmuar në raport me Gjilanin dhe Anamoravën në përgjithësi dhe për vendosmërinë e tyre që të jenë krah nesh sot e në të ardhmen. /2LONLINE/