Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, Nazim Gagica, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të mësuesit e veprimtarit, Elez Muja.
”Shqiptarët historikisht kanë qenë të rreshtuar në përpjekjet shekullore për lirinë e Kosovës, dikush në ilegale, dikush nga diaspora e të tjerë përmes arsimit në rrethana të rënda e të përndjekur gjithmonë. I tillë ishte edhe mësuesi ynë, Elez Muja, i cili tërë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave. Aktiviteti i tij për çështjen kombëtare dhe pajtimi i gjaqeve, e bëjnë mësuesin Elez model të shqiptarit të vërtetë”, ka thënë Nazim Gagica i AAK-së.
Ai shtoi se sot, në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, kujtojmë e nderojmë jetën dhe veprën e mësuesit Elez Muja, si njëri nga shumë punëtorët e arsimit që asnjëherë nuk mundi armiku ta ndaj nga rruga e tij për arsimin e shqiptarëve, si njëra nga format e vetme për t’u ngritur si shoqëri e për t’u vetëdijesuar si komb.
“Puna dhe kontributi i jashtëzakonshëm që ndër breza e kanë dhënë mësuesit tanë, kulmuan me luftën çlirimtare duke e bërë realitet ëndrrën që kishim për shumë dekada e të shtypur; lirinë e Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së mësuesit, Elez Muja”, ka thënë Nazim Gagica i AAK-së. /2LONLINE/