Viti 2019 ka rezultuar i suksesshem në aspektin personal për Ardian Ismajlin. 23 vjeçari shqiptar është një nga yjet e kampionatit kroat të futbollit.
Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi ka lënë shenjë në radhët e skuadrës së Hajduk Split. Edhe pse ekipi i tij është larg kreut të renditjes, vlerësimet për futbollistin shqiptar nuk mungojnë.
Kështu, gazeta kroate “Vecernji List”, duke marrë për bazë të dhënat statistikore këtë sezon, i ka besuar Ismajlit një vend në rreshtimin ideal të kampionatit për pjesën e parë të 2019-ës.
Ismajli është një prej qendërmbrojtësve në rreshtimin ideal 3-5-2, një pozicion që ai mban edhe në radhët e përfaqësues shqiptare që kur drejtimin e saj e mori trajneri, Eduardo Reja.
Gazeta kroate I thur lavde Ardianit duke e konsideruar një futbollist të kompletuar në aspektin difensiv.
“Mbrojtësi i Hajduk, Adrian Ismajli, ka aftësi të shkëlqyera motorike. I jashtëzakonshëm në ajër, i shpejtë dhe i fortë në duele. Një stoper modern të cilit i pëlqen të luajë futboll dhe nuk heziton të nxjerrë topin nga mbrojtja. Ismajli po ashtu është në majë sa i përket kategorisë së vjedhjes së topit ndaj kundërshtarit”, shkruan gazeta.
Kujtojmë që për Ismajlin kanë shprehur interesim disa skuadra cilësore në Serie A. Atalanta, Bologna dhe Sampdoria prej kohësh ndjekin nga afër paraqitjet 23 vjeçarit shqiptar.