Diskutime në lidhje me lokacionin e ri të varrezave të qytetit do të jetë e vetmja pikë e rendit të ditës që pritet të trajtohet në seancën e jashtëzakonshme që është ftuar me kërkesë të opozitës, e që është caktuar të mbahet më 9 dhjetor në ora ’10:00.
Në fakt një seancë e tillë ishte caktuar edhe me 29 nëntor, po me kërkesë të opozitës, pasi i kishte siguruar nënshkrimet e nevojshme për t’u ftuar seanca e jashtëzakonshme, por e cila kishte dështuar për mungesë të kuorumit.
Në atë seancë kishin munguar të gjithë anëtarët e LDK-së si parti në pozitë dhe partnerëve të saj të koalicionit, por edhe tre anëtar të tjerë, dy nga PDK-ja dhe një nga NISMA, duke bërë që të pranishëm të jenë 16 nga 35 anëtarë sa i ka Kuvendit dhe kështu të mos ketë kuorum, transmeton 2LONLINE.com.
(shih shkrimin: Mungon kuorumi për seancën e jashtëzakonshëm)
Për këtë opozitarët kishin mbajtur edhe një konferencë (shih shkrimin: Opozita nuk do të heq dorë nga seanca e jashtëzakonshme), ku kishin akuzuar pozitën për bojkot dhe dëm që po ia shkaktojnë Kuvendit Komunal me lojëra të tilla për të pamundësuar kuorumin dhe për t’i ikë debatit mbi një çështje që opozita e konsideron të një rëndësie të madhe për interesin qytetarë.
Duke u deklaruar se nuk do të heqin dorë nga thirrja e një seancë të jashtëzakonshme mbi këtë çështje ata kishin nis me grumbullimin e nënshkrimeve dhe të përsëris kërkesën edhe njëherë, duke deponuar edhe nënshkrimet e nevojshme të anëtarëve të kuvendit për një seancë tjetër të jashtëzakonshme, e caktuar tani më për 9 dhjetor.
Ndërkohë , sot Nevzad isufi, përfaqësues i grupit të anëtarëve të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan e ka kritikuar kryesuesen e Kuvendit komunal të Gjilanit që siç, thotë Isufi, kryesuesja tallet dhe shpërfill kërkesat legjitime të anëtarëve të Kuvendit nga opozita.
“Kuvendi komunal ka degraduar në shkallë alarmante në saje të udhëheqjes së stërkequr nga kryesuesja e Kuvendit znj. Shpresa Kurteshi – Emini. Ajo ka kohë që nuk respekton rregulloren e punës së kuvendit dhe as ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Në vazhdimësi nuk respektohen rregullat e udhëheqjes së mbledhjeve të kuvendit dhe anëtarët e tij, që nuk i takojnë partisë së saj trajtohen ndryshe. Atyre u ndërpritet fjala, atyre nuk u jepet fjala, propozimet e tyre nuk hidhen në votim, ajo tërë kohën përpiqet të bëjë avokatin e partisë së saj, rol të cilin nuk e ka”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, këto veprime jo rrallë ka quar në acarim të anëtarëve të kuvendit. Kryesuesja pavarësisht se vjen nga partia që ka pasur shumicën në kuvend, në momentin që bëhet kryesuese e Kuvendit, udhërrëfyese të punës së saj duhet ta ketë Rregulloren e punës së Kuvendit dhe anëtarët e kuvendit duhet të kenë tretman të njëjtë. Kjo është e garantuar me ligj. “Si pasojë e keq udhëheqjes mbledhjet stërzgjaten, diskutimet dalin jashtë temës dhe kuvendi humb në trajtim të drejtë dhe efikas të kohës dhe vendimet merren ngutshëm e me shkelje ligjore. Për shkelje ne nuk kemi kujt t’i drejtohemi, sepse që nga vdekja e z. Matoshi, në janar të vitit të kaluar e deri tash, pra qe 11 muaj, ne nuk kemi përfaqësues të zyrës ligjore në Kuvend. Për këtë Kryesuesja nuk ka shpjegim”, thotë Isufi.
Anëtarët e Kuvendit nga opozita, por edhe anëtarë të pavarur të kuvendit, që nga 22 nëntori kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për çështje të caktimit të lokacionit të varrezave. E varrezat janë çështje e të gjithë qytetarëve, por jo vetëm e pozitës apo opozitës, thotë tutje Isufi.
Sipas tij, kërkesa për seancë të jashtëzakonshme me nënshkrimet e nevojshme është dorëzuar më 22.11.2019 ( e premte), ndërsa më 25 nëntor ajo është caktuar më, 29.11.2019 ( e premte). Por sikur kjo stërzgjatje prej një jave të mos mjaftonte, ajo në vend se të kujdeset që seanca të mbahej, ajo dhe anëtarët e tjerë të Kuvendit nga partia e saj u “kujdesën” që në seancë të jashtëzakonshme të mos vijë asnjë anëtarë, vetëm që të mos mundësohet koorumi. Kryesuesja nuk dha asnjë shpjegim e as nuk tregoi që dikush nga anëtarët e Kuvendit t’i ketë kërkuar leje për ta liruar nga seanca.
“Ne kemi fakte edhe për presionin që iu është bërë disa anëtarëve të kuvendit, që të mos vijnë në kuvend. Është një shembull i pashembullt dhe shumë i keq, kur pozita bojkoton institucionet që ajo përfaqëson dhe e ka për detyrë drejtimin e tyre, ose partia në pushtet qysh tash është duke u përgatitur për t’u bërë opozitë”, ka thënë Isufi.
“Ky “sukses i arritur “ i pozitës, detyroi opozitën që të përsëris kërkesën edhe njëherë, duke deponuar edhe nënshkrimet e nevojshme të anëtarëve të kuvendit për një seancë tjetër të jashtëzakonshme. Pra, më 29.11.2019, u bë kërkesa, ndërsa më 03.12.2019, erdhi konfirmimi për datën e seancës e që është 9 dhjetori, d.m.th. edhe 6 ditë të tjera nga dita e thirrjes, ndërsa ajo do të duhej të mbahej më së largu me 4 dhjetor.
Pra, vazhdohet me shkelje ligjore e injorim të opozitës, por edhe të qytetarëve, sepse edhe ne i përfaqësojmë ata. Po rikujtoj që Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, nr.03/L-040, neni 44, pika 44.4 parasheh që seanca e jashtëzakonshme duhet të mbahet për tri ditë. Edhe Rregullorja e punës së Kuvendit parasheh të njëjtën gjë. Pra, kemi shkelje të Ligjit të lartë përmendur e Rregullores së punës së Kuvendit”, ka thënë tutje Isufi i Vetëvendosjes.
Sipas tij, këso shkeljes po ndodhin qe disa seanca radhazi. “Pra, shkeljet në Kuvendin komunal të Gjilanit janë bërë tashmë dukuri dhe ne po shprehim brengosje, por edhe mos pajtim me këto anomali të theksuara në Kuvendin komunal të Gjilanit. Këto veprime janë duke e bërë atë jofunksional dhe jo efikas. Këtë po bënë kryesuesja e në bashkëveprim e me dijeninë dhe pajtimin e partisë në pushtet dhe kreun e saj, Lutfi Haziri në prapaskenë, sepse ai nuk vjen në seancat e kuvendit, vetëm kur ka detyrim ligjor”, thotë isufi.