Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka realizuar Ditë e Vizitorëve të Shquar të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë” si proces kulminant i një pune dy-vjeçare në validimin e Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë.
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në këtë ushtrim priti Presidenten e Republikës së Kosovës Sh.S.Znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin e Republikës së Kosovës Sh.T.Z. Albin Kurti, Minstrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komisionerja Parlamentare e FSK-së znj. Remzije Zeqiraj, deputetët nga Komisioni Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, përfaqësues nga Ambasadat e akredituara në vend, përfaqësues nga KFOR-i, Atashe të Mbrojtjes dhe përfaqësues ushtarak nga vendet partnere.
Fillimisht, Gjeneral Jashari njoftoi të pranishmit mbi të arriturat e FSK-së në përgjithësi dhe në veçanti mbi fazat në të cilat ka kaluar Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë për të arritur deri tek validimi bazuar në misionin ushtarak në kuadër të Komandës së Forcave Tokësore. Validimi i njësive është një proces i gjatë i planifikimit, trajnimit, stërvitjes së personelit dhe mbështetjes logjistike me qëllim të realizimit të detyrave në përmbushje të misionit.
Pastaj njësitë e dislokuara në terren në kuadër të Ushtrimit Fushor “Ujku i Çeliktë” bënë demonstrimin e operacioneve mbrojtëse, operacioneve sulmuese dhe kulminuan me operacionet e stabilitetit.
Në fund, presidentja e Republikës së Kosovës Sh.S.Znj. Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministri i Republikës së Kosovës Sh.T.Z. Albin Kurti iu adresuan ushtarakëve të FSK-së ku e përgëzuan Gjeneral Jasharin dhe të gjithë ushtarakët e FSK-së për këtë arritje. Ata gjithashtu shprehën konsideratat më të larta mbi profesionalizmin, vendosmërinë dhe udhëheqjen e suksesshme të këtij procesi me rëndësi për mbrojtjen e territorit.
Forca e Sigurisë së Kosovës duke u bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, është duke ngritur kapacitetet operacionale të njësive, bazuar në misionin e tyre. Andaj në kuadër të këtij ushtrimi janë validuar Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë dhe Togu i Mbështetjes Luftarake të Policisë Ushtarake. /2LONLINE/