Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me partnerët ndërkombëtarë është duke marr pjesë në Ushtrimin e Përbashkët KFOR 26, në Hohenfels të Republikës Federale të Gjermanisë. Ky ushtrim që organizohet për çdo vit ka për qëllim përgatitjen e nevojshme të njësive me mision në kuadër të KFOR-it.
Kontingjenti i FSK-së, në këtë ushtrim po merr pjesë me 12 pjesëtarë në detyra të specifikuara si: Shtabi i FSK-së, Njësia e EOD-së dhe MKAB-së.
Pjesëtarët janë akomoduar në Bazën e Ushtrisë Amerikane në Hohenfels, e cila njëherësh është bazë ku realizohen të gjitha trajnimet ndërkombëtare më fokus të veçantë Evropën.
Ushtrimi po zhvillohet në pesë faza: Arritja, Zbarkimi, Trajnimi, Ushtrimi dhe Rigjenerimi. Tani është duke u zhvilluar faza e tretë, ku njësitë e FSK-së, deri më tani kanë marrë pjesë në stërvitjet e organizuara nga homologët e njësive përkatëse kryesisht të ushtrisë amerikane (Stërvitje për njësitë e EOD-së dhe MKAB-së), ku nëpërmjet skenarëve kanë kryer të gjitha koordinimet dhe përgatitjet me qëllim që njësitë të jenë të gatshme për përmbushjen e misionit gjatë ekzekutimit të ushtrimit.
Gjithashtu, kontingjenti i FSK-së, përpos stërvitjeve në deminim dhe dekontaminim, kontribut të veçantë është duke dhënë edhe në fushën e informimit.
Në këtë ushtrim të përbashkët, njësitet përmes KFOR-it përgatiten për mision real në Kosovë. Pjesëmarrës në këtë ushtrim janë nga: SHBA-ja, Shqipëria, Italia, Sllovenia, Romania, Armenia, Moldavia, Lituania.
Ushtrimi i Përbashkët KFOR 26 ka filluar të zhvillohet më 20 qershor 2019, me zbarkimin e kontingjentit të FSK-së në Hohenfels dhe do të përfundojë më 11 korrik 2019, ku pjesëtarët tanë do të kthehen në Kosovë.