Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), i komanduar nga kapiten Fatmir Lani dhe i përbërë prej 16 pjesëtarëve, një skuadër(9 pjesëtarë) e Kompanisë për Mbrojtje Kimike- Biologjike-Atomike(MKBA) dhe një ekipi (5 pjesëtarë) për Eliminimin e Mjeteve Eksplozive të Pashpërthyera (EOD) e Kompanisë së Deminimit, si dhe dy vëzhgues –kontrollues, nga data 19 qershor deri më 11 korrik 2017 po merr pjesë në ushtrimin e përbashkët ,,KFOR 23’’ në Bazën e Ushtrisë Amerikane për Evropë (USAREUR), në Qendrën e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri (JMRC), në Hohenfild të Republikës Federale të Gjermanisë.
Për të parë nga afër operacionet përfundimtare të ushtrimit ,,KFOR 23’’ të kontingjentit të FSK-së, i cili i është bashkuar Brigadës 39-të të Këmbësorisë (39th IBCT) të Ushtrisë Amerikane për Evropë (USAREUR), në Ditën e Vizitorëve në Gjermani, përveç personaliteteve të shumta ushtarake amerikane, gjermane dhe të vendeve tjera të NATO-s, qëndruan dje, edhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe zotëri Jahir Sejdiu.
Gjenerali Halimi, nga drejtuesit e ushtrimit, mori komente dhe vlerësime shumë të larta për angazhimin, disiplinën dhe profesionalizmin që po tregojnë pjesëtarët e FSK-së.
Gjatë aktiviteteve trajnuese dhe stërvitore të ushtrimit, Ekipi i EOD-së ka për mision që të detektojë dhe shkatërrojë mjetet e pashpërthyera, ndërsa skuadra e MKAB-së të bie në kontakt me autoritetet lokale për të bërë vlerësimin e zonës së kontaminuar.
Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas përfundimit me sukses të ushtrimit ,, KFOR 24’’, i cili u drejtua nga Qendra e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri, pritet që të kthehet në vend për të vazhduar shërbimin me profesionalizëm dhe përkushtim.