Sot në përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në sheshin „Skënderbeu“ parakaluan kuadratet e Ushtrisë së Kosovës para mijërave qytetarëve dhe udhëheqësve shtetëror.
Ceremonia solemne e manifestimit filloi me intonimin e Himnit të Kosovës nga Orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në manifestimin qendror merrnin pjesë udhëheqësit shtetërorë të Kosovës; presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeministri i Republikës Shqipërisë Edi Rama, ambasadori i SHBA-ve, Fhilip Kosnnet, vëllai i Komandanti legjendar Rifat Jashari, ministra dhe mysafirë të shumtë, ambasadorë, diplomatë, përfaqësues të KFOR-it, si dhe mijëra qytetarë të Kosovës dhe trojeve etnike.
Në kuadër të ceremonisë shtetërore ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zyrtarë të lartë të ministrisë, gjeneralë dhe oficerë të FSK-së.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij, në përvjetorin e 11-të të Pavarësisë, pos tjerash tha se FSK-ja është krenaria e Kosovës.
„Para nesh kemi një ushtri profesionale, e cila është në shërbim dhe mbrojtje të shtetit më të ri në Evropë, e gatshme për të kontribuar për paqe në rajon dhe botë. Vendimi për themelimin e ushtrisë ishte i drejtë, legjitim dhe mesazh historik“ tha pos tjerash Presidenti Thaçi.
Pas fjalës së presidentit, komandanti i parakalimit gjeneral brigade Enver Cikaqi, raportoi para presidentit Hashim Thaçi, për gatishmërinë e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për parakalim.
Kuadratet e FSK-së, parakaluan duke filluar nga Togu Ceremonial, Batalioni i Parë i BRSH-së, Batalioni i Dytë i BRSH-së dhe Batalioni i Tretë i BRSH-së, Brigada e Mbështetjes Operacionale, Regjimenti i Mbrojtjes Civile, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, Qendra për Studime Universitare dhe Orkestra Frymore e FSK-së.
Kuadratet e FSK-së, gjatë parakalimit u shoqëruan me brohoritje dhe duartrokitje nga qytetarët e pranishëm në sheshin Skënderbeu.