Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci si dhe udhëheqës lokalë dhe qytetarë të tjerë morën pjesë në ceremoninë e rihapjes së urës mbi lumin Sitnica në Mitrovicë, pas kryerjes së punimeve për riparimin dhe rindërtimin nga Batalioni i Xhenios së FSK-së në bashkëpunim me KFOR-in.
Me këtë rast, ministri Rrustem Berisha tha se Forca e Sigurisë së Kosovës po dëshmon çdo ditë e më shumë se me kapacitetet në kuadër të misionit të saj është e gatshme dhe e aftë të planifikojë dhe realizojë në tërësi projekte të infrastrukturës të cilat e lehtësojnë jetën e qytetarëve si dhe mundësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve, automjeteve dhe mallrave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Duke përcjellur përgëzimet e Qeverisë, ministri Berisha tha se tani me përfundimin me sukses të riparimit në urën mbi lumin Sitnica, xhenierët e FSK-së treguan profesionalizëm dhe përkushtim të lartë si dhe dëshmuan një gatishmëri për ndërveprim me trupat e KFOR-it gjatë kryerjes së punimeve.
Nga ana e tij, ministri Berisha deklaroi se ndjehet krenar për punën profesionale dhe vetëmohuese të pjesëtarëve të FSK-së, gjithashtu edhe për disiplinën dhe angazhimin ekipor të tërë ekipeve që punuan edhe gjatë ditëve të vikendit, vetëm e vetëm që kjo vepër të jetë sa më parë në shërbim të qytetarëve të Mitrovicës dhe lokaliteteve përreth.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Couci tha se FSK-ja është Forcë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe se ne jemi krenar me punën e tyre dhe profesionalizmin e treguar. Ndër tjera ai tha: ,,Sikurse në këtë operacion të përbashkët, KFOR-i do të vazhdojë të mbështes FSK-në në zhvillimin e kapaciteteve të saj në kuadër të misionit që ka aktualisht. FSK-ja ka demonstruar profesionalizëm të lartë në operacione të tilla si ky’’, duke përfunduar se. Në urën mbi lumin Sitnica në Mitrovicë, punuan gjithsejtë 15 pjesëtarë të FSK-së me pajisje xheniere dhe 9 automjete, nga data 24 janar deri më datë 29 janar. Angazhimi kryesor ishte vendosja e dyshemesë së urës, me gjatësi 45,72 metra, gjerësi 4.20 metra, si dhe kryen inspektimin teknik të urës për çdo element metalik të vendosur aty, në mënyrë që ura e riparuar t’i përmbahet standardit në përballimin e peshës prej 50 tonelatave.
FSK-ja ka lehtësuar jetën e qytetarëve dhe ka mundësuar lëvizjen e lirë të udhëtarëve dhe automjeteve me ndërtim urash dhe projekte tjera humanitare edhe në Kramovik, Deçan, Krushevë e Vogël të Klinës, mbi lumin Drini i Bardhë, Mitrovicë dhe në lokalitete tjera të Kosovës, dhe me këtë ka dëshmuar profesionalizëm, gatishmëri si dhe përkushtim për të provuar në vepër investimin që populli i Kosovës po e bën për institucionet dhe se ato ua kthejnë përmes sigurisë dhe investimit në punë.
Vlen të theksohet se xhenierët e FSK-së kanë qenë të përfshirë edhe në operacionin humanitar pas vërshimeve në Republikën e Shqipërisë ku kanë punuar dhe asistuar në ndërtimin dhe montimin e urave si dhe pritet që të dislokohen përsëri për të vazhduar me operacione në Shqipëri, po për këtë qëllim, pra ndërtimin dhe montimin e urave të tipit modern Mabey Johnson.