Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Lidhja e Prizrenit”, në Prizren, u mbajt sot ceremonia e diplomimit të kontingjentit të parë të deminierëve ukrainas.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin: Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey M. Hovenier, përfaqësues të EUCOM-it, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Trajnimi gjashtë javor i grupit të parë të personelit Ukrainas në fushën e EOD-së, u realizua nga instruktorët FSK-së, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (EUCOM).
Në fjalën e tij para të pranishmëve Ministri i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci theksoi: “Republika e Kosovës qëndron vendosur krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera demokratike në mbështetje të luftës së drejtë të popullit të Ukrainës kundër agresionit të paprovokuar dhe të padrejtë rus”.
Ndërsa Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari pasi i përshëndeti të pranishmit dhe i përgëzoi kursantët për përfundimin me sukses të këtij kursi shtoi: “Populli ynë më mirë se kushdo tjetër e kupton rëndësinë e luftës tuaj ndaj agresorit dhe çmimin e lartë që ka liria. Prandaj jemi të dedikuar krah për krah me aleatët tanë që të ndihmojmë popullin e Ukrainës në përpjekjet e tyre për liri, njëjtë siç na kanë ndihmuar dhe kanë qëndruar pranë nesh aleatët në kohët e vështira, ku edhe sot po e vazhdojmë rrugëtimin së bashku”.
Po ashtu Komandanti i FSK-së falënderoi instruktorët nga FSK dhe EUCOM për profesionalizmin e treguar në trajnimin e kontingjentit Ukrainas në fushën e EOD-së. Ai njëkohësisht falënderoi SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen profesionale të FSK-së.
Të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier i cili u shpreh mirënjohës dhe i lumtur për këtë sukses “jam i nderuar që jam me ju sot, ku po shënojmë një të arritur të jashtëzakonshme të përfundimit të këtij kursi, që shënon edhe njëherë përkushtimin dhe vendosmërinë e Kosovës për të mbrojtur shtetin e Ukrainës nga sulmi brutal i Rusisë”.
Falënderues për këtë mundësi u shpreh edhe koloneli ukrainas që ishte pjesë e kursantëve i cili fjalën e tij e filloi me një minutë heshtje në nderim të të gjithë të rënëve në mbrojtjen e vendit “Ky kurs ka një rëndësi të lartë për ne, pasi që do na ndihmojë që jo vetëm të pastrojmë territorin e vendit tonë nga mjetet e pashpërthyera por edhe të shpëtojmë jetë të popullit tonë”.
Forca e Sigurisë së Kosovës në koordinim me aleatët ndërkombëtarë do të vazhdojë të ofrojë kontributin e saj, me kapacitetet njerëzore dhe logjistike për t’i dalë në ndihmë Ukrainës në qëllimin e saj për të siguruar paqe dhe siguri. /2LONLINE/