Padyshim njëri nga lokalitetet që nuk e ka parë dorën e butë të pushtetit, atë të përkujdesjes e investimeve është fshati i harruar Selishtë.
Selishta nga e cila çdo ditë e më shumë po pakësohet numri i banorëve për shkak të largimit, vazhdon të mbetet fshat i harruar nga pushtetet e deritanishme.
Rruga që të qon në fshat nuk e pa asnjëherë asfaltin. Është intervenuar pak herë me zhavor por kjo ka qenë e pamjaftueshme që të zgjidhë një herë e mirë problemin kryesor të banorëve.
Ndërhyrja e vetme, investimi i vetëm që komuna ka bërë këto vitet e fundit është vendosja e ndriçimit publik në disa nga lagjet e fshatit, natyrisht në kohë të fushatës së fundit parazgjedhore. Dhe, besojeni ose jo ndriçimi ka funksionuar vetëm pak ditë, deri sa përfunduan zgjedhjet.
Banorët thanë të kenë lajmëruar organet kompetente, por që nuk ka intervenim në lidhje me këtë çështje. Ilir Limani kryetar i Këshillit të fshatit Selishtë u shpreh të jetë i indinjuar me lënien anash të këtij fshati të Karadakut.
“Kemi bërë një sërë kërkesash për shtrimin e rrugës me asfalt, por tentimet kanë qenë të kota. Premtime ka pasur edhe në të kaluarën, mirëpo siç po shihet kanë mbetur vetëm premtime.
Kryetari Haziri na ka premtuar që brenda këtij mandati kjo punë do të rregullohet por deri më tani nuk kemi parë lëvizje konkrete në këtë drejtim”ka thënë ai.
/Adem Ajvazi/