(2L ONLINE) – Organizata Joqeveritare “Fortesa”, reagon ndaj vendimit të Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Kamenicës për ridestinimin e rreth 10 mijë eurove, të parapara për të mbështetur Organizatat e shoqërisë civile.
Përfaqësuesi i OJQ “Fortesa”, Amir Jakupi, konsideron se përpiluesit e agjendave të legjislativit kanë bërë një veprim të pamatur, në kundërshtim me rregulloret dhe në një kohë kur nuk është bërë rishqyrtimim i buxhetit komunal.
“Anëtarëve të KPF-së në mbledhjen e fundit iu servua një pikë e rendit të ditës, me një gjysmë fjalie, pa arsyetime, e pa propozim-vendim. Kryetari i komunës, i cli shpeshherë merr rolin e drejtuesit të seancave, u mundua ta kalonte sa më shpejtë votimin e saj, duke mos dhënë asnjë arsyetim pse po preket fondi i OJQ-ve, i miratuar nga legjislatura e kaluar”, ka thënë përfaqësuesi i kësaj organizate, Amir Jakupi.
Ai ka kërkuar nga anëtarët e Kuvendit Komunal, që të mos bien pre e shkeljeve ligjore dhe vendimeve të kontrabanduara, sic ka ndodh në disa raste ku është dëmtuar buxheti komunal.
“Komuna e Kamenicës qëndron jashtëzakonisht keq me transparencën dhe llogaridhënien, andaj fondi prej 25 mijë eurove do të duhet të shkonte në drejtim të përmirësimit të gjendjes, ku OJQ-të do të krijonin ura lidhëse mes pushtetit e qytetarit. Fortesa kërkon nga ekzekutivi e legjislativi i Kamenicës që të mos e prekin fondin e OJQ-ve, por sa më parë ta shpallin konkursin për aplikim dhe t’iu jepet mundësi OJQ-ve të aplikojnë me ide e projekt-propozime”, ka theksuar Jakupi./ 2L ONLINE/