(2L ONLINE) – ATRC në bashkëpunim me Komunën e Vitisë kanë mbajtur mbledhjen e radhës së Komitetit Konsultativ për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. Pjesëmarrës në këtë takim ishin zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, Kryesuesi i Kuvendit, Naim Pira, Drejtori për Ekonomi Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama, anëtarët e Komitetit konsultativ për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje si dhe përfaqësueses nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Takimi u fokusua në aktivitetet që Komiteti konsultativ do t’i organizoj gjatë këtij viti si dhe përkrahjen që Komuna e Vitisë dhe ATRC do të ofrojnë anëtarëve të këtij Komiteti, gjatë punës së tyre.
Përfaqësuesit e ATRC theksuan se do të vazhdojnë të ofrojnë përkrahje në hartimin e rregullores së punës së Komitetit konsultativ dhe në bashkëpunim me Komunën dhe Këshillat lokale do të identifikojnë nevojat e banorëve të Komunës së Vitisë.
Kurse, zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu dhe Kryesuesi i Kuvendit, Naim Pira dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë komunale shprehën gatishmërinë e tyre për të përkrahur anëtarët e Komitetit në punën e tyre dhe njëherit marrjen parasysh të nevojave dhe rekomandimeve të qytetarëve.
Identifikimi i nevojave dhe rekomandimeve të banorëve të Komunës së Vitisë pritet të bëhet gjatë muajit maj të këtij viti, me qëllim që rekomandimet e qytetarëve të prezantohen në Kuvend para rishikimit të buxhetit. Veç bashkëpunimit me përfaqësuesit e Këshillave Lokale procesi i identifikimit të nevojave të banorëve do të përfshij edhe takimet që do të organizohen me të rinjë, grupin joformal të grave, personat me aftësi të kufizuar dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
Këto aktivitete organizohen në kuadër të projektit “Qytetarë aktiv-Komuna të përgjegjshme dhe transparente”, i cili financohet nga OPIC./2L ONLINE/