Sot në ambientet e Komunës së Prishtinës, ministri i Forcës e Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha u prit në një takim pune nga kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti.
Në këtë takim ministri Berisha e ka uruar kryetarin Ahmeti, për rizgjedhjen në krye të Komunës së Prishtinës.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Prishtinës z. Ahmeti, shprehu kënaqësinë për vizitën e ministrit Berisha dhe vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin në mes MFSK-së, përkatësisht FSK-së, me Komunën e Prishtinës.
Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i punëve lidhur me iniciativën e ministrit Rrustem Berisha për ndërtimin e Obeliskut (Përmendores), për ushtarët e NATO-s të rënë në Kosovë në vitin 1999.
Kjo iniciativë i është paraqitur Qeverisë së Kosovës nga ministri FSK-së, z. Berisha, e cila e ka nxjerrë vendimin për ndërtimin e Obeliskut më 27.12.2017.
Në takim, ministri i FSK-së, z. Berisha dhe kryetari i komunës, z. Ahmeti kanë biseduar për procedimin për gjetjen e lokacionit të përshtatshëm duke pasur në konsideratë rëndësinë e obeliskut, si dhe kriteret urbanistike të qytetit të Prishtinës.