“Çdo herë më 28 Nëntor kujtojmë sakrificën e gjeneratave të tëra që punuan palodhshëm që kombin tonë ta radhisin përkrah popujve të përparuar dhe vlerave të civilizimit perëndimor. Është koha që të reflektojmë dhe të trashëgojmë vlera të mirëfillta që gjeneratat e ardhshme të ndjehen krenarë.
Këtë vit, ndonëse pa ndonjë manifestim përshkak të pandemisë, shqiptarët në Bujanoc dhe Luginë i gjen më të bashkuar se kurrë, pikërisht ashtu si flamuri kombëtar që simbolizon unitetin kombëtar.
Duke shpresuar që në një të ardhme të afërt do të lejohet ligjërisht përdorimi i simboleve kombëtare, ju uroj 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar!”, ka shkruar Arifi në facebook, kryetari i komunes së Bujanocit, Nagip Arifi
Ndërsa komuna e Bujanocit përmes një njoftimi ka sqaruar se nuk do të ketë organizime për këtë festë përshkak të gjendjes me pandeminë Covid-19.
Ky është njoftimi i plotë i publikura në faqen zyrtare të komunës së Bujanocit:
Të dashur qytetarë shqiptarë të komunës së Bujanocit,
Më datë 28 Nëntor shqiptarët kremtojnë Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Kjo festë, fatkeqësisht, përshkak të shfaqjes së pandemisë Covid-19 dhe përhapjes së saj në mesin e qytetarëve tanë, na ka detyruar që 28 Nëntorin e 2020-ës të mos e festojmë sikur vitet e kaluara.
Ju njoftojmë, se përshkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në komunën tonë dhe për arsye të ruajtjes së shëndetit publik, komuna e Bujanocit nuk ka organizuar aktivitete festive…
Përkundër kësaj, edhe këtë vit do të ngritet flamuri kombëtar shqiptar në ndërtesën e komunës së Bujanocit.
Me dëshirën që festat e ardhshme të Nëntorit t’i festojmë në mënyrë më dinjitoze, komuna e Bujanocit i uron të gjithë shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.