/Sabit Rrustemi/
Nesër në Gjilan, pikërisht në 16-vjetorin e kalimit në amshim, Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, Komuna e Gjilanit përmes Manifestimit kombëtar të kulturës, Flaka e Janarit”, e përkujton përmes një akademie rasti, si dhe viteve të kaluara.
Në sallën e teatrit të Qytetit, pak pas mesdite, me fillim nga ora 14:00, në kushte dhe rrethana pandemike, bartës të institucioneve nga niveli qendror e lokal si dhe veprimtarë politikë do ta nderojnë figurën e themeltarit të shtetit të Kosovës, pikërisht në Dyzetvjetorin e rënies për liri e pavarësi të atdhetarëve të shquar, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës.
Për personalitetin dhe kontributin e pamohueshëm të dr. Ibrahim Rugovës pritet të flasin, kryetari i komunës së Gjilanit, z.Alban Hyseni, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i kësaj dege në Gjilan,z. Lutfi Haziri si dhe studiuesi i shquar i letërsisë dhe njëri nga miqtë e tij të ngushtë të letrare, prof dr. Anton Nikë Berisha.
Ky i fundit do ta trajtojë figurën dhe personalitetin e presidentit historik të Kosovës sipas këndvështrimit të tre publicistëve dhe veprimtarëvë të të drejtave humanitare nga Franca; Jean Yves Carlen, Steve Duchene dhe Joël Erhart , të cilët me vite përcollën dhe analizuan lëvizjen paqësore apo resistencën e padhunshme të Ibrahim Rugovës dhe, mendimet e tyre i shpërfaqën në librin “IBRAHIM RUGOVA , VIGANI I BRISHTË I KOSOVËS”, që në vitin 1998, libër që në masë të mirë sensibilizoi dhe opinionin francez, dhe ate pikërisht në kohën kur veç kish nisur lufta në Kosovë.
Ky libër, falë Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, tash na vjen dhe në gjuhën shqipe, përkthyer nga Elvi Sidheri e, studiuesi ynë i rryer, Anton Nikë Berisha , sjell vlerësimet e veta, të cilat shpërfaqin rëndësinë e këtij libri, qoftë në kohën kur u botua por, edhe tash pas 23 vitesh e sa, që më në fund e kemi edhe në gjuhën shqipe.
Akademia, që dosido do të jetë më e kufizuar se herave tjera, shkaku i masave anti Covid, përcillet edhe me një koncert të muzikës serioze, përgatitur nga Shkolla e Muzikës në Gjilan . /2LONLINE/