Pas ceremonisë zyrtare në nderim të heronjve dhe të gjithë të rënëve tjerë në epoka të ndryshme, Manifestimi Mbarëkombatar “Flaka e Janarit 2023”, ka vijuar me një laramani aktivitetesh kulturore për më të vegjëlit.
Me një aktivitet sa simbolik po aq edhe simpatik, pasdite është mbajtur një koncert në kuadër të aktiviteteve të parapara sipas kalendarit, në hapje të edicionit të 32-të të Manifestimit.
Grupe muzikore të fëmijëve nga shkolla të ciklit të ultë e parashkollor nga Gjilani, si: “Zërat e Bardhë” nga shkolla “Hello”; çerdhja “Ardhmëria” nga Lagjia “Dardania”; bendi i përbërë nga dueti Malvina – Aria; si dhe nxënësit e shkollës “Nazim Hikmet” nga Mireshi, me një larmi pikash artistike-interpretative, i kanë dhuruar ngjyra estetike e të mirëpritura nga publiku i gjërë në sallën e ish-Galerisë në kompleksin e Teatrit të Qytetit.
Ashtu siç është paraparë, Manifestimi Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” vijon në mbrëmje me ceremoninë kryesore zyrtare, ndezjen e Flakadanëve në hollin e Teatrit të Qytetit, si dhe 32 Flakadanëve tjerë te Varrezat e Dëshmorëve, në shenjë të simbolikës së shënimit të edicionit të 32-të kontinuitetit tradicional të Manifestimit “Flaka e Janarit”. /2LONLINE/
FOTO