***
Jam shumë e lumtur që sot në cilësinë e Presidentes së Republikës, t’ju drejtohem nga foltorja e tempullit të demokracisë në përmbylljen e këtij viti, i cili ishte jashtëzakonisht sfidues, sidomos nga pandemia e cila po na përcjell prej dy vjetësh, por njëkohësisht edhe t’ju uroj një vit të mbarë 2022 me dëshirat më të mira për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për të gjithë ju të pranishëm, për familjet dhe miqtë tuaj, si dhe për mërgatën tonë të dashur!
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!
Pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, përfaqësuesit tuaj të zgjedhur, duke e respektuar vullnetin tuaj të qartë dhe duke dhënë edhe një herë shembullin e mirë të funksionimit të demokracisë, më dhanë besimin që të udhëheqë me institucionin më të lartë në vend . Gjej rastin që sot, në prag ndërrimit të motmoteve, t’ju falënderoj edhe një herë për këtë besim dhe t’ju siguroj se, sikurse deri më tani, do të jem në funksion të ruajtjes së interesit të qytetarëve të Republikës dhe të interesave të shtetit tonë të dashur.
Të nderuar deputetë!
Viti që po e lëmë pas, ashtu sikurse edhe ai paraprak, ishte me të vërtetë sfidues për ne, por edhe për gjithë njerëzimin, për shkak të pandemisë Covid-19 dhe pasojat që la si tek shëndeti i qytetarëve ashtu edhe tek ekonomia jonë. Pandemia i ka sfiduar jetët tona, duke ndryshuar mbase përjetësisht edhe mënyrën tonë të jetesës. Prandaj, në këtë moment, kur sytë tanë janë orientuar fuqishëm nga shpresa për një të ardhme më të mirë, dua që së bashku me ju t’i kujtojmë të gjithë bashkëqytetarët tanë, të cilët e humbën jetën si rrjedhojë e infektimit me këtë virus; t’u shprehim ngushëllime të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre, por edhe t’ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që dhanë ndihmesën e tyre, në cilëndo formë qoftë, për ta sfiduar pandeminë. Dua t’ua shpreh respektin e thellë të qytetarëve të Kosovës sidomos personelit shëndetësor, të cilët na e dhanë shembullin se vetëmohimi dhe përkushtimi për të mirën e përbashkët është gjithmonë i mundur.
Pandemia, krahas ndryshimeve klimatike, krizave humanitare e problemeve gjithnjë e më të shumta globale, na dëshmon se shoqëritë tona janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sfidave kolektive. Asnjë vend, sado i madh qoftë, nuk është i sigurt dhe nuk mund ta bëjë betejën i vetëm. Na duhet përkushtim global për të luftuar pandeminë e për të mbrojtur ambientin ku jetojmë, sikurse edhe në përballje me plot kërcënime të tjera.
Si presidente e vendit kam bashkëpunuar me institucionet tona në vend në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në vaksina efektive e të sigurta, për t’u mbrojtur nga ky virus. Para së gjithash falë përkushtimit të mantelbardhëve, falë punës së institucioneve si dhe gatishmërisë së qytetarëve tanë për t’u vaksinuar, sot Kosova radhitet ndër vendet më të suksesshme në luftimin e pandemisë për shkak të përqindjes së vaksinimit. Për këtë qëllim, nga dita e parë e mandatit tim i jam përkushtuar bashkërendimit të veprimeve për menaxhim të pandemisë, si dhe kam komunikuar me qytetarët rreth rëndësisë së vaksinimit si dhe me stafin mjekësor, të cilët kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për ta mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve tanë. Po ashtu, kam komunikuar vazhdimisht edhe me krerët e shteteve aleate për të kërkuar mbështetje me donacione vaksinash. Padyshim që ndihma më e madhe na erdhi nga miku e aleati i përhershëm i Kosovës, Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Presidenti Biden, të cilit i jemi mirënjohës për miqësinë e treguar, duke ju përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për një donacion prej gjysmë milion vaksinash. Njëkohësisht, vendet e Bashkimit Evropian e shumë shtete të tjera mike, na qëndruan pranë në momentet e vështira të pandemisë, duke ofruar përkrahjen e nevojshme nëpërmjet donacioneve e vaksinave e të pajisjeve mjekësore. Prandaj, duke i falënderuar qytetarët për vetëdijen e treguar, i lus ata që të vazhdojnë me vaksinimin, përfshirë edhe marrjen e dozës së tretë, apo siç njihet doza përforcuese, e cila është e vetmja mënyrë për të parandaluar valë të re të infektimeve e cila do ta afektonte negativisht si shëndetin e qytetarëve, ashtu edhe ekonominë tonë.
Sikurse edhe shumë herë gjatë historisë sonë, edhe gjatë këtij viti të brishtë ne dëshmuam se në kohët më të vështira, ne gjejmë forcë për të qëndruar së bashku, duke krijuar kohezion mendimesh e veprimesh për të mirën e Republikës. Së bashku, ne dëshmuam se kujdesi ndaj njerëzve tanë dhe humaniteti janë vlerat që na bashkojnë, brenda dhe jashtë institucioneve.
Për fjalimin e plotë: KLIKO KËTU