Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga po merr pjesë në Samitin Bërdo-Brioni, të tretin me radhë, që sivjet organizohet në Dubrovnik. Ajo në samit po shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. E martë, 15 korrik 2014
Mikpritës i samitit, që është një nismë e përbashkët e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane, është Presidenti i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, ndërsa në të po marrin pjesë presidentët e vendeve të rajonit.
Në samit po merr pjesë edhe kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, zonja Angela Merkel.
Presidentja Jahjaga në punimet sotme të samitit ka mbajtur sot një fjalim, të cilin po e sjellim në vijim:
Kancelare Merkel,
Dëshiroj t’ju bashkëngjitem homologëve të mi nga regjioni për t’ju uruar mirëseardhje në këtë samit dhe për t’ju falënderuar për pjesëmarrjen tuaj. Ndjej kënaqësi që takohemi në këtë format, i cili shpreh në mënyrën më të mirë ndryshimin që ka ndodhur gjatë disa viteve të kaluara në regjion, ndryshim i cili do të ishte i pamundur pa ndihmën e vlershme të Gjermanisë dhe rolit tuaj konstruktiv në inkurajimin tonë që t’i përqafojmë reformat dhe t’i hapim perspektiven e Bashkimit Evropian vendeve tona respektive.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet agjenda kryesore e cila na bashkon, e cila e mban paqen dhe stabilitetin në regjion, e cila është katalizator i ndryshimeve për forcim të bashkëpunimit dhe partneritetit mes nesh dhe qytetarëve të vendeve të cilët ne përfaqësojmë.
Ne nuk po kërkojmë rrugë më të shkurtra; përkundrazi, përparimi ynë drejt BE-së duhet të kushtëzohet nga vullneti ynë për t’i transformuar vendet tona dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet midis shteteve tona. Dua të theksoj se ndihma juaj e vazhdueshme dhe angazhimi për ta mbajtur këtë perspektivë të qëndrueshme për të gjitha vendet do ta determinojë të ardhmen e këtij regjioni.
Vendi im, Republika e Kosovës, është e vendosur që të lëvizë përpara. Ne kemi kaluar një pjesë të madhe të viteve të kaluara duke çimentuar demokracinë tonë – ne kemi konsoliduar institucionet tona, kemi siguruar funksionimin e tyre demokratik dhe pandërprerë kemi ndërvepruar me komunitetet tona minoritare për t’i integruar ato plotësisht në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës.
Ky sukses i brendshëm i shtet-ndërtimit po ashtu ka reflektuar edhe ndërkombëtarisht, përderisa shtete nga mbarë bota kanë vazhduar ta njohin shtetësinë tonë. Dua t’i falënderoj shtetet e regjionit për mbështetje në këtë proces të konsolidimit.
Gjatë dy viteve të kaluara, i kemi përkushtuar shumë nga koha jonë përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Siç e kemi dëshmuar në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja, ne nuk pritëm që normalizimi të ndodhë, por ne krijuam normalizim, pikë së pari me komunitetin serb në Kosovë, duke siguruar integrimin e tyre të plotë, e pastaj me Serbinë, në gjetjen e pikave të përbashkëta për adresimin e shumë çështjeve të cilat arrijnë tek thelbi i sfidave me të cilat ballafaqohemi si regjion – vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sundimi i ligjit, krimi dhe korrupsioni ndër-kufitar, t’i përmendim vetëm disa.
Disa marrëveshje tanimë janë arritur, por suksesi i vërtetë i këtij procesi duhet të matet me zbatimin e tyre të plotë. Dhe më këtë nënkuptoj po ashtu edhe kurajën dhe vullnetin politik për t’u liruar nga e kaluara dhe për të lëvizur përpara ne partneritet dhe bashkëpunim.
Derisa tejkalojmë armiqësitë e viteve 1990, shpresoj se do të jemi në gjendje të krijojmë një dinamizëm tjetër në mes të regjionit dhe pjesës tjetër të Evropës, i cili do të na ndihmojë që të adresojmë brengat tona të përbashkëta dhe sfidat e ndërlidhura.
Kosova, si të gjitha vendet e tjera të regjionit, ballafaqohet me sfida serioze ekonomike, kryesisht për shkak të nënperformimit të sektorit privat, por po ashtu edhe për shkak të izolimit dhe mungesës së qasjes në tregje evropiane dhe përtej. Mbi 30 % të popullatës së Kosovës janë të papunë, dhe grupi i targetuar janë të rinjtë, të cilët janë gjysma e popullatës së Kosovës.
Ndryshimi i këtyre trendeve do të jetë sfida jonë kryesore në dekadën e ardhshme dhe jam e bindur se do të mund t’i ndryshojmë vetëm duke punuar së bashku me njëri tjetrin si regjion për ta përmirësuar infrastrukturën tonë, dhe ti bashkëngjitemi pjesës tjetër të Evropës si një vlerë në gjirin e saj.
Regjioni ynë është dinamik dhe ka shumë për të ofruar, jo vetëm në terme të burimeve natyrore dhe potencialit energjetik, por edhe në atë më të rëndësishmin, kapitalin njerëzor.