Fjala e plotë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës
Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria në një shtet janë parime normale e vlera të demokracisë. Si shtet me aspirata dhe orientime demokratike, jemi kundër antitezave të saj dhe gjithmonë në përkushtim të plotë të ruajtjes së rendit dhe një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim. Javëve të fundit, Republika e Kosovës është përballur me tentativa për destabilizim të vendit e përshkallëzim të situatës në veriun tonë. Këto tentativa, adresat e urdhëresat i kanë në Beograd, tek fqinji ynë fatkeqësisht armiqësor ndaj nesh, e që qasjen e tillë e përsërit në mënyrë konstante e në vazhdimësi.
Ajo çfarë kemi parë e kemi qenë dëshmitarë gjatë javëve të fundit, janë grupet e maskuara kriminale të dirigjuara dhe orkestruara nga Beogradi, të cilët paturpësisht kanë sulmuar jo vetëm Policinë e Kosovës, por edhe KFOR-in, juve mediave e qytetarët tanë. Ata janë sulmuar me armë zjarri, shok bomba, molotova e mjete të tjera të forta. Pra, ndonëse që dy vite Policia dhe të gjithë ne ballafaqohemi me sulme e me akte kriminale të bandave në veri, 3 javët e fundit kanë qenë më aktive dhe natyrisht kjo vjen si revoltë ndaj veprimeve tona me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në atë zonë.
Si pasojë e këtyre sulmeve, një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës kanë mbetur të lënduar. Dëshmi këto që tregojnë për masën e dhunës së ashpër dhe burimin e këtyre akteve kriminale. Protestat nuk kanë qenë të qytetarëve, por të prirura nga grupe kriminale famëkeqe e të dërguara me porosi nga Beogradi si “Rojat e Urës”, “Mbrojtja Civile”, “Night Wolves”, “Severna Brigada”.
Liderë të këtyre grupeve të ardhura nga Beogradi, nuk janë të panjohur për autoritetet tona, pasi njihen veprat e aktet e tyre kriminale ndër vite. Një nga ta, udhëheqës në “Mbrojtjen Civile”, Milun Milenkovic-Llune, falë punës së shkëlqyer të Policisë së Kosovës, u arrit të arrestohej. Historiku i dosjes së tij kriminale, tregon për aktivitetet dhe sulmet e paligjshme të ndërmarra ndër vite, lista e të cilave është shumë e gjatë e përmban sulme dhe terror ndaj qytetarëve por edhe forcave të rendit e forcave ndërkombëtare të sigurisë në të shkuarën e në të tashmen.
Të acaruar nga prishja e planeve të tyre, nga puna jonë për ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend dhe vënia para drejtësisë e këtyre kriminelëve, Beogradi ndërmori një hap të papranueshëm dhe të dënueshëm duke kidnapuar tre zyrtarë tanë policorë. Kidnapimi i ndodhur ditën e djeshme, është zhvilluar sipas një plani të planifikuar nga Njësiti Special Anti-terror në kuadër të xhandarmërisë së Serbisë (SAJ – Specijalna antiteroristička jedinica) dhe Njësiti Special i Ushtrisë së Serbisë “Kobra” në zonën kufitare Bare – Tresave (Leposaviq).
Ditën e djeshme kam vizituar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, i cili ndodhet rreth 1 km brenda kufirit tonë. Bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Pra, rruga është e ndarë në mes, me dy gropa të njëpasnjëshme dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë, ashtu sicc propaganda e Beogradit thotë.Kjo është pastër një deformim i ngjarjeve në terren, për t’i ikur përgjegjësisë së tyre, realisht planit të tyre për kidnapim. Në këtë lokacion, në prapavijë në territor të Republikës së Kosovës ka pasur edhe drunj që kanë bllokuar rrugën me qëllim të bllokimit eventual të njësive asistuese të Policisë së Kosovës.
Është e qartë se ky akt kriminal është bërë në shenjë hakmarrje për arrestimin e kriminelit Llune. Ajo çfarë është duke ndodhur është sjellja e një Serbie kriminele, e cila me vite e dekada është duke vepruar njëjtë përmes akteve të tyre kriminale duke u munduar që të minojnë shtrirjen e sovranitetit tonë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Për ne dhe besoj që kështu duhet të jetë dhe për të gjithë botën demokratike, kjo jo vetëm që është e papranueshme por është një incident jashtëzakonisht i rëndë. Ky akt kriminal, duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar, sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe një herë fytyrën e vërtetë të Serbisë. Bëjmë thirrje urgjente për lirimin e zyrtarëve tanë policor dhe kthimin e tyre në Kosovë, pranë radhëve të Policisë së Kosovës dhe pranë familjeve të tyre, me të cilët bashkëndjejmë për padrejtësinë e bërë nga Beogradi.
Dua të ritheksoj se ne nuk do të ndalemi e nuk do të zmbrapsemi, në kërkim të drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Nuk do të ndalemi në kërkim të rendit dhe ligjit dhe një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne jemi në të drejtën tonë dhe do të vazhdojmë të veprojmë sipas ligjit dhe principeve të demokracisë. Çdokush i cili shkel ligjin do të përballet me pasojat ligjore. Askush nuk është imun në këto shkelje. Asnjëri nga këta kriminel nuk është më i fuqishëm se shteti, nuk është më i fuqishëm se institucionet e Republikës së Kosovës prandaj secili prej tyre do të sillet para drejtësisë.
Republika e Kosovës është sovrane dhe demokratike. Qytetarët tanë nuk do të shtypen e nuk do të shkelen, përkundrazi, do të mbrohen. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për aktet e saj. /2LONLINE/