Sapo përfunduam Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt duke marrë si temë veprimin agresor të Serbisë dje, e cila rrëmbeu tre zyrtarë të Policisë së Kosovës në brendi të territorit të Republikës sonë.
Me anëtarët e Këshillit të Sigurisë diskutuam për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks te katër komunat në veri të vendit dhe brezit kufitar me Serbinë. Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat më të fundit dhe gjithashtu propozuan rekomandime.
Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për përshkallëzim e destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për depërshkallëzim, pra deeskalim dhe për normalizim.
Për këto arsye institucionet tona të rendit dhe sigurisë kanë e rritur nivelin e gatishmërisë.
Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm, janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese.
Cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia, na detyron që të rrisim kontrollet kufitare, që varësisht nga analizat dhe vlerësimet e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë apo nuk mund të garantohet siguria
Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.
Synimi ynë është siguria e siguria fillon te kufijtë.
Ne edhe një herë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policorë dhe u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar.
Serbia nuk ka ndryshuar asnjëherë në qëllime, motive dhe apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim. E kur nuk ka, atëherë është e gatshme dhe sigurisht e aftë që t’i krijon ato. Rrëmbimi i tre Policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këtë.
***
Atëherë para se t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja, këtu e kemi një foto të hartës, në të cilën mund të shihni se si vendi ku janë kidnapuar tre policët tanë, ndodhet një kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit në thellësi të territorit të Kosovës.
Pra, kidnapimi, rrëmbimi i tre policëve të Kosovës ka ndodh në këtë vend, i cili është thellë në territorin e Kosovës dhe i cili është pra, 1 kilometër larg kufirit në njërën anë, që i bie të jetë pjesa veriperëndimore, pastaj 670 metra larg, që i bie pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300 metra; 1 kilometër, 670 metra dhe 300 metra.
Në të njëjtën kohë, këtu kemi edhe fotografitë e rrugës së prerë, në të cilën shihet qartazi se nuk kanë mundur këta të kalojnë tutje siç pretendon Serbia, që paskan shkruar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar. Pra, nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë dhe kjo rruga e prerë këtu është bërë për t’i ndalur këto 16 shtigjet ilegale të kontrabandës, që janë bërë gjatë vitit të kaluar dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të policisë përtej kufirit të Serbisë siç pretendohet, madje as përtej rrugës së prerë, e cila pra ndodhet 1 kilometër, 670 metra dhe 300 metra.
Edhe kjo është një fotografi tjetër, e cila tregon këtë rrugën e prerë dhe pretendimet e rrejshme të Serbisë.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve, këpucëve të huaja e në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat lidhëse plastike.
Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar policia në Serbi, kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga, janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne, 1 kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg kufirit me Serbinë dhe në brendi të territorit të Kosovës.
Ajo çfarë mua vazhdon të më habis, është fakti që as të nesërmen me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i.
Cili është kuptimi, që të nesërmen, e një ngjarjeje, e cila nuk ishte në mbrëmje, por në mesditë, KFOR-i ende nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend. Ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës dhe a e dini çfarë, edhe në këtë moment ne jemi në atë vend, nuk është Serbia, edhe automjeti edhe ushqimi që kanë ngrënë policët, gjithçka është thellë në territorin e Kosovës.
Pra, siç e theksoi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bëhet fjalë për dy formacione të armatosura të Serbisë se kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe me të cilët do të duhej të merret KFOR-i, është Njësia Speciale Anti-terroriste, që ata e quajnë SAJ dhe është Njësia Speciale Ushtarake, që ata e quajnë “Kobra”. Pra, “SAJ” dhe “Kobra” janë njësitë, të cilat duket që kanë bërë vëzhgim dhe më pastaj edhe kidnapim. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi. Arrestimin e ka bërë Policia e Kosovës të këtij kreut të krimit të organizuar e të kontrabandës, Milun Milenkoviq Lune, ndërkaq vetë policët kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë për këtë arrestim të tyre, për këtë luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. /2LONLINE/