Ndonëse vuajti shumë për të shënuar një gol që erdhi tek në minutën e 84-të të takimit, FC Drita ka shënuar fitore minimale ndaj Fushë Kosovës, të mundimshme por të rëndësishme, për t’i ndërprerë rezultatet negative dhe për t’u kthyer në rezultatet pozitive shumë të rëndësishme për “qetësinë shpirtërore”, pikë së pari të kryetrajnerit Akis Vavalis, të ekipit, por edhe të udhëheqësisë së këtij klubi, që në objektivat e saja përherë i ka “majat” e suksesit, si në këtë rast titullin e kampionit.
Drita, e cila në tri ndeshjet paraprake (java e 11, 12 dhe 13) kishte një barazim dhe dy humbje, ishte në presionin e madh të rezultatit në këtë ndeshje, për ta ndërprerë këtë ecuri negative, dhe për t’u rikthyer te fitorja.
Fitorja ishte shumë e rëndësishme edhe për faktin se për shkak të lojës së kombëtares, Superliga pauzon, dhe kjo kohë mund t’i shërbej timonierit të Dritës, Akis Vavalis për të reflektuar dhe gjetur formulën, e një shkarkimi psikologjik të ekipit, që duket se është pengesë, së fundmi, veçmas të atyre që duhet të gjejnë rrugën e golit, pasi në pesë ndeshjet e fundit, futbollistët bardhekaltër ose nuk kanë shënuar ose kanë shënuar vetëm një gol për ndeshje, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Për më tepër, edhe goli i sotëm, i vetmi dhe përcaktues për fitore dhe arkëtim të pikëve të plota, erdhi nga mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi. (min ’84).
Kujtojmë edhe faktin, se përgjatë këtyre xhirove në këtë stinor, Drita ka humbur pikë nga Fushë Kosova e Liria, dy skuadrat e fundit në tabelë, e që për një pretendues të titullit është e pafalshme.
Përndryshe, ajo që ra në sy, ishte lojtari i ri Yll Ibrahimi, i cili në këtë takim, kur loja po shkonte kah fundi, me porta të paprekura, mori besimin e trajnerit për t’u futur në lojë. Ishte pikërisht ai që me harkimin e tij, e gjeti Krasniqin, në anën tjetër, e që ai pastaj tundi portën kundërshtare.
Tani Drita duhet reflektuar, e trajneri Vavalis duket se, për pak kohë, e largoi nga vetja presionin psikologjik, që mund ta ketë fatin e trajnerëve që largohen nga klubi, pas rezultateve të dobëta të cilat rezultate e largojnë klubin nga qëllimi, dhe se tani ai duhet ta gjejë formulën e s rikthimit të klubit në një pozitivitet, në binarët e duhur që e dërgojnë klubin drejt kreut të tabelës dhe titullit të më të mirit në Superligë, transmeton 2LONLINE.com.
Pra, Drita mundi sot Fushë Kosovën (1-0), ndeshje kjo e javës së 14-të, në tabelë vazhdon të jetë e dyta, me 25 pikë nga 13 lojë të luajtura, ka 4 pikë më pak se lideri Ballkani, por që ka 11 ndeshje të zhvilluara. Ndër këto lojë të pa luajtura, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së Ballkanit në garat evropiane, është edhe ballafaqimi Drita – Ballkani, ndeshje kjo e mbetur e javës së tretë. /2LONLINE/