Financimi i ndërmarrjeve të reja paraqet një ndër elementet kryesore në ekosistemin e ndërmarrësisë në vend. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Amerikane në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, ku u diskutua mbi alternativat që ndërmarrësit e rinj në vend i kanë në dispozicion për të financuar idetë e tyre të biznesit, dhe sfidat me të cilat ata ballafaqohen në këtë aspekt.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se gjatë kësaj jave është synuar që të trajtohet ndërmarrësia nga kënde të ndryshme në mënyrë që kësaj teme t’i jepet një rëndësi e shtuar në shoqëri. Në këtë drejtim, ai tha se financimi paraqet një element kyç në ekosistemin e ndërmarrësisë dhe si i tillë ka rëndësi të madhe në inkurajimin e ndërmarrjeve të reja në vend.
Ramis Ahmetaj, anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, theksoi se Kosova është me fat që ka një sektor bankar shumë stabil që ka ndihmuar në rritjen e sektorit privat në vend. Megjithatë, ai shtoi se në nivel global sektori bankar nuk shihet si burim financimi për ndërmarrje të reja, marrë parasysh se bankat menaxhojnë me depozita të individëve dhe risku i financimit të këtyre ndërmarrjeve është zakonisht më i lartë. Rrjedhimisht, ai sqaroi se financimi përmes ekuitetit në masë të madhe konsiderohet si opsioni më i mirë për ndërmarrësit e ri.
Robert Wright, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Kosovë, tha se në Kosovë ekziston një frymë e mirë e ndërmarrësisë, dhe ky faktor mund t’i kontribuojë zhvillimit ekonomik në vend, marrë parasysh edhe papunësinë e lartë që ekziston në vend në mesin e të rinjve. Wright tha se anembanë botës, ndërmarrjet e reja ballafaqohen me sfida në financim dhe duhet që edhe vetë ndërmarrësit të jenë të gatshëm të marrin një pjesë të riskut përsipër. Poashtu, ai tha se edhe ndërmarrjet që veçse janë konsoliduar në treg duhet të sigurohen që kultura e tyre organizative nxit ndërmarrësinë brenda kompanisë në mesin e punëtorëve.
Eriola Bibolli, Zëvendës Kryeshefe Ekzekutive e ProCredit Bank në Kosovë, tha se sektori bankar është gjithnjë i gatshëm të financojë dhe të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zhvillimin e inovacionit, por edhe sektorin e teknologjisë informative i cili tashmë është duke u zgjeruar globalisht. Ajo shtoi se fokusi i bankës në të ardhmen është që portfolion e kredive ndaj NVM-ve ta orientojë sa më shumë drejt aktiviteteve të prodhimit dhe ndërmarrjeve në sektorin e shërbimeve. Bibolli sqaroi se në nivel të Bashkimit Evropian ekzistojnë disa mekanizma që lehtësojnë qasjen në financa për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, dhe se në Kosovë është bërë diçka e ngjashme përmes Fondit për Garantimin e Kredive.
Në vazhdim, të pranishmit në tryezë patën rastin të diskutojnë mbi mënyrat për të krijuar mekanizma të financimit të ndërmarrjeve të reja në vend, si një hap kyç në zhvillimin e ekosistemit të ndërmarrësisë në vend.