Prishtina dhe Llapi do ta zhvillojnë derbin e javës së 31-të në Ipko Superligën e Kosovës të shtunën në “Fadil Vokrri” nga ora 16:00.
Përderisa Prishtina ka publikuar disa statistika ku tregohet se Llapi nuk ka marrë asnjëherë pikë në kryeqytet, nuk ka munguar edhe kundërpërgjigja e trajnerit të Llapit, Tahir Batatina.
Ai thotë se dy vite më parë e ka mposhtur Prishtinën në Obiliq, ku kjo e fundit i zhvillonte ndeshjet si vendas në pamundësi që të zhvilloheshin ndeshjet në kryeqytet.
“Nuk është e vërtetë ajo që ka publikuar Prishtina, pasi unë i kam mposhtur si vendas ata. Dy vite më parë ndeshja është zhvilluar në Obiliq dhe nga disavantazhi kemi arritur të bëjmë rikthim për ta fituar ndeshjen”.
Mendimin e tij e argumenton duke treguar se atë ndeshje Prishtina e zhvilloi në cilësinë e vendasit.
“Ndeshja mund të luhet edhe në Barcelonë apo në çfarëdo qyteti tjetër, por Prishtina ka qenë vendase. Gjithsesi le të merren ata me statistika të ndeshjeve, ndërsa unë merrem vetëm me lojë dhe fjalët i tregojmë në fushë”, u shpreh Batatina.
Tutje trajneri i Llapit ka thënë se përgatitjet për këtë takim janë duke shkuar mirë dhe se nuk ka asnjë mungesë në formacion.