Sabit Rrustemi
FGURA LETRARE E AGIM MATOS PËRMES POEZISË “MEA CULPA”
( Me rastin e 20 Marsit – Ditës Botërore të Poezisë)
Secili njeri, gjatë jetës së tij, nëse jo shpesh, ka nevojë të rrëfehet së paku njëherë. Në mos për asgjë tjetër, për një çlirim shpirtëror. Ndodh të mos ketë bërë ndonjë faj a gabim, të qëllimshëm a të paqëllimshëm. Të rrëfyerit është një proces i shëndetshëm njerëzor, që ta mundëson këtë, kryesisht nëpër tempuj të besimeve të ndryshme. Po, të rrëfyerit apo siç njihet ndryshe nga një shprehje e moçme latine, “MeaCulpa” e secilit prej nesh, mund të ndodh dhe në forma të tjera. Dikush mund ta zgjedhë një njeri të afërt, mik a mikeshë, të dashur a të besuar, një njeri të mirë e të kuptueshëm, ku pa ngurruar fare, vullnetshëm, përmes mënyrës së të rrëfyerit, mëton dhe e lehtëson qenien e vet nga një “mëkat” a “gabim” që mund ta ketë bërë, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm.
Poezia me titull“Mea Culpa” e poetit Agim Mato, apo të rrëfyerit e tij, ndodh krejt ndryshe. Ai nuk shkon as në kishë e as në xhami, madje as në tempujt e lashtë antikë mbetur si gërmadha, si themele apo toponime. Nuk i drejtohet as ndonjë çasti të natyrës apo ndonjë objekti me formën që ka dhe sjelljen e njerëzve ndaj tij, çmohet i shenjtë.
Agim Mato rrëfehet para tempullit të tij shpirtëror, poezisë. Poezia është vendi i tij më i shenjtë dhe lexuesit e saj, janë publiku i heshtur që e dëgjojnë, ndërsa letra e bardhë është bartësi apo transmetuesi i kësaj “Mea Culpa”, që ti sot e gjithë, do ta përjetosh përmes një leximi të heshtur, madje dhe një dëgjimi në heshtje, nën ndjenjat dhe tundimet nga më të ndryshmet që t’i shkakton, po edhe t’i provokon a grishë një mënyrë e tillë e të rrëfyerit.
T’i qasemi për ngadalë dhe, nga fillimi, kësaj “Mea Culpa”, që në një mënyrë, është dhe çelësi prej të cilit hapet porta e botës poetike të Agim Matos.
E shkruar apo “e rrëfyer” në vitin 2011, kur Agim Mato kishte hyrë tashmë në moshën e tretë (se ardhja e tij në jetë është viti 1947), ajo ( Mea Culpa ) vinte pas tridhjetë vitesh mungesë nga ana e autorit, për faktin se “regjimi i kohës”, parë me thjerrëzën ideologjike, emrin e tij e kish rreshtuar në listën e gjatë të “armiqve të popullit” dhe librin e pabotuar ( Buka e fjalëve – një metaforë tejet e bukur ) e kishte kthyer në karton, e kish asgjësuar. Dhe autori, si “i padëshiruar” në atdheun e tij, për hir të jetës dhe shpresës që ruante thellë për ditë më të mira (se ato do t’i vinin një ditë), prej mënyrave më të padëshiruara, kish zgjedhur heshtjen duke e pushuar penën, po jo edhe mendjen, për t’i shmangur masat e tjera ndëshkuese.
Tërë këtë “odisejadë” mungese e torture nga më të pazakonshmet, Agim Mato e sjell në mënyrën më të mirë të mundshme përmes poezisë, si një rrëfim poetik me përmasa antologjike, jo për t’u shfajësuar nga një “faj” i pabërë, po, për t’i falë letërsisë pak art nga “miniera” e tij dhe që ne të mos mbesim pa thesare të tilla poetike.
Ndëshkimet “e ëmbla” ideologjike
nga sistemet e diktaturave tashmë të shkuara, të cilat Agim Mato, thuaja i “bënë të paqena”, edhe në poezi, edhe pse hijet e tyre të struktura mes vargjesh apo nëntekstesh shihen qartazi, në rastin e kësaj “Mea Culpa”, “shfrytëzohen” si frymëzim, frymëzim ky jo fort i dëshiruar, por që kur bie në mendjen dhe penën e një autori të tillë, dosido prodhon vetëm art dhe vlera që nuk vjetrohen.
Po cili është “rrëfimi” i poetit, para tempullit të tij, poezisë si dhe lexuesit të pandehur?
Le ta lexojmë edhe njëherë strofën apo njësinë e parë të kësaj poezie:
Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes
Vargu i parë dëfton mungesën, kohën e zgjatur të saj po edhe vendin ku ka zbritur apo ku është kthyer, e ajo dihet, është “miniera e braktisur e poezisë”.
E ku do “zbriste” diku tjetër, poeti?
Ajo “zbritje”, sado që nuk është e largët, nuk është edhe lehtë e arritshme, sepse ndodhet diku, thellësive të qenies së tij, ku lehtë nuk shkohet. Po, meqë autori është ai që e ka hapur “ atë minierë”, madje dhe ka prodhuar prej saj, ku “frytet” e atij prodhimi edhe i ka hedhur në publik, sepse janë tri libra të shkruar e të botuar në fillim të viteve shtatëdhjetë, shekulli i shkuar(XX), si “Jug”, “Në pragun e shtëpive tona” dhe “Buka e fjalëve”, do të thotë që rrugën e ka pasur mirë të njohur. Rrugë e trasuar me tre tituj, të cilët vijnë ndryshe për dallim nga librat tjerë që ishin publikuar deri në atë kohë. Kur të shtojmë se ai trajtohej si një emër që vinte nga rrethet dhe shkruante “ndryshe”, madje ishte dhe një konkurrent serioz i atyre që kishin zënë tashmë “qendrën”, “syri vigjilentë i partisë”, vihet në veprim, sidomos pas “pjekjes” së të tretit, “Buka e fjalëve”. Një metaforë e pazakontë për kohën, ky titull, madje dhe shumë konkurrues si vlerë, sepse autori tashmë kish krijuar një përvojë të mirë letrare, po Ai vinte nga një “Familje” jo e dashur për “regjimin e kohës”. E, kjo ishte një “armë e fshehtë” dhe e përdorur shpesh për eliminimin e konkurrentëve, meqë ata që e kishin zënë “qendrën”nuk e kishin guximin për të shkruar ndryshe, ose u mungonte aftësia/ përgatitja. Mund të ishte edhe bindja e “brumosur” nga partia. Ishte fillimi i të shtatëdhjetave në Shqipëri, koha kur “revolucioni kulturor kinez” kish infektuar me të madhe edhe gjysmën tjetër të trungut tonë.
Duke zbritur më thellë vargjeve,
lexuesi i vëmendshëm heton edhe shkasin e braktisjes së mëhershme të kësaj “miniere” nga ana e autorit apo “pronarit” (sepse miniera është e tij, ai e ka hapur), po, duke e kërkuar “ arin e fshehur nëpër guva”, befas i sheh veglat e punës” të shpërndara pa kujdes/ në çaste zemërimi me perënditë…”.
Këtu edhe e kapim fillin e gjithë asaj që ka ndodhur me poetin dhe, nevojën e tij të drejtpëdrejtë për t’u rrëfyer, në mos për asgjë, sa për ta shpjeguar mungesën e tij.
Në mesin e viteve shtatëdhjeta të shekullit të shkuar, në kohën kur u botua po dhe njëkohësisht u kthye sërish në karton “Buka e fjalëve”, perëndi të vetme në Shqipëri ishin krerët e Partisë së Punës, të cilët kontrollonin gjithçka përmes puthadorëve të tyre.
Për njohësit e rrethanave të asaj kohe si dhe të tjerëve që i kanë përcjellë zhvillimet e gjithmbarshme në ish vendet e “kampit socialist”, e dinë mirëfilli se ishin puthadorët ata që informonin për çdo gjë “perënditë” e kohës, “zeusët e rinj”, të cilët pastaj merrnin vendimet.
Edhe pse tashmë ishte “shembur” kjo kastë “perëndish “, autori gjatë ecjes nëpër “minierën e tij të braktisur”, ka një ngurrim, një pasiguri.
ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes
Këto tri vargje të fundit të kësaj pjese të parë të kësaj poezie, dëshmojnë më së miri mosbesimin e autorit se, a ranë përnjëmend nga froni perënditë, apo jo, meqë zemërimi i tyre mund të kthehet në çast, sapo ky të rinis punën, aty ku e kish lënë. Dhe mendja i shkon ku mos më keq, te “vdekja”, ajo për të cilën ai po përgatitej gjatë “viteve të mungesës”.
Pikërisht këtu zë fill, sërish ajo dilema, që mund ta ketë pasur dhe në nismë, apo pas “ndëshkimit” nga ai “zemërim perëndish”.
Vallë sërish do të fillonin vuajtjet netëve të vetmuara,
derisa zjarret e shpirtit do të më kthenin në zhele
……………………………………..
…… do të ulërija nga dhimbjet, kur
si i babëzitur, do të gërmoja motivet
derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?
Përballjen me zemërimin e “perëndive” të kohës, autori ende nuk e kish harruar. Pasojat e asaj përballje ende po i vuante. “Mea Culpa” flet vetvetiu përmes vargjeve, në strofën e dytë e të tretë, të cilat drynosin në një mënyrë autorin për një kohë, sepse e di çka duhet të gjejë e të kërkojë në minierë dhe, çka duhet të shpërfaqë në publik, apo si thuhet me gjuhën e ekonomisë, “ç’duhet të nxjerr në treg”, se, edhe nëse kanë rënë në “gjumin dimëror” arinjtë e stepës, apo hijet e zeusve të “Baba Tomorit”, puthadorët e tyre andejpari ishin kudo, veshur tash me rroba “demokratësh”.
Duke i lexuar këto dy pjesë aq tronditëse, thjeshtë “i harrojmë” për një çast vuajtjet e poetit “netëve të vetmuara”, nëpër zjarret e pashuara të shpirtit, falë gjuhës poetike të cilën e përdor mjeshtërisht autori në këtë “të rrëfyer”, derisa “pa dashur” thuaja ngecim dhe ne si lexues nëpër “galeritë e frikshme”. Po, fatmirësisht gërmimi i motiveve dhe i atij “arit të fshehur nëpër guva”, vazhdon, sepse i ndëshkuari “nga zemërimi i perëndive”, tashmë ka gjetur rishtas frymëzimin.
E ndërsa po mendoja t’ia mbathja
nga kisha ardhur,
më rrethoi befas frushullima mizëri e krahëve të
dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,
që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate
dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.
Për fatin e mirë të letërsisë
dhe të vetë lexuesit, ajo “frushullima” e hershme shfaqet dhe ia shprush dëshirat e ëndrrat e dikurshme, të cilat i japin kurajë, nuk e lënë të zmbrapset dhe, jo vetëm që e mbajnë galerive të mëparshme për ta “gjetur arin e fshehur” që s’ishin gjë tjetër pos vargjet e brumosura thellë diku në vete gjatë asaj periudhe të mungesës tridhjetëvjeçare, të cilat jo të gjitha mund të ishin ruajtur, apo mund të “gjendeshin”. Kryesorja, autori zë e shprush galerive të mëparshme po, hap edhe galeri të reja.
Në ndërkohë Agim Mato, përpos ribotimit të veprave të mëparshme, si “Buka e fjalëve” , themelon dhe një shtypshkronjë e një shtëpi botuese me emrin “Milosao” dhe nis e i jep jetë e frymë të re Jugut shqiptar përmes artit letrar.
Mes viteve 2011 – 2014, vijnë dhe frytet e para të periudhës së rilindur letrare të Agim Matos, si “Jashtë eklipsit”, “Fundo” e “Lundrimet” e, pak më vonë edhe “Pluhuri i artë i përjetësive”.
Duke u mbështetur në këto që tashmë janë fakte, gjejmë dhe kuptimin e atij vargut në vete të “Mea Culpa”, ku autori, pas gjithë kësaj rilindjeje krijuese, shkundullohet nga pyetja që tërthorazi edhe merr përgjigjen më pas:
Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt?
Është fjala për thesaret e mëparshme poetike, po edhe për thesaret e pa nxjerra nga ajo “minierë e thellë ari” diku shtresave të shpirtit të tij, të cilat me një dashuri të pashoqe e përkushtim krijues shpërfaqen dhe sjellin portretin poetik të Agim Matos, i cili tash nuk ndëshkohet më nga zemërimi i “perëndive” të deridjeshme, po, nderohet nga “perënditë” e reja dhe merr titullin “Mjeshtër i Madh” ( 2014), sepse edhe e meritonte.
Rikthimi i Agim Matos
në skenën krijuese e vepruese letrare të Jugut shqiptar, nuk i solli vetëm veprat që u përmendën, por, gradualisht, përmes një veprimtarie të dendur letrare, Sarandës ia hoqi epitetin e dikurshëm të “rrethit” dhe e ktheu në një qendër letrare, ku vit për vit mblidhen poetë nga vendet e Mesdheut në “Triremën poetike të Jonit”, ku një nga ideatorët dhe themeluesit, po edhe mbështetësit ishte padyshim dhe autori i “Mea Culpa”, i cili zë të njihet edhe tej Shqipërisë, si në Kosovë, Greqi e, Itali ku pati paraqitje, vlerësime e botime letrare nga opusi i tij krijues. Kjo, sikur ish projektuar edhe tek ai “rrëfim” njëjtësor përmes “Mea Culpa”:
I prekja një nga një
e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me
dritë minerale
tërë atë laborator kujtese,
tërë atë punishte arti që ma mbyllën me forcë,
tërë atë alkimi të shpirtit
që filloi të më shfaqet
si një asteroid verbues.
Është një rikthim shpërthyes i Agim Matos, pavarësisht se ndodh në një moshë të caktuar. Megjithatë, përvoja jetësore dhe ajo letrare kur pikëpjeken në një dashuri të madhe për artin e njerëzoren (humane) si dhe dëshirën për t’i lënë diçka të ardhmes, e bënë të veten.
Në kulmin e kësaj vjen edhe vargu që shqipton zëshëm, madje me sa forcë për një të vërtetë tejet goditëse dhe jo veç për autorin apo veç për këtë autor, që nuk fshihet më: “tërë atë punishte ar(t)i (që) ma mbyllën me forcë/ tërë atë alkimi të shpirtit…”, të cilën siç shprehet në pjesën e parafundit:
E pashë sërish qartë
vrullin e marrëzive të dikurshme
për të përplasur kokën tek e paarritshmja,
deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim
thyhej
duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës.
Vendimin për t’u rikthyer, që Agim Mato e zbatoi pas tridhjetë vitesh ndalesë e heshtje (vite që s’kanë qenë aspak të lehta për të) vetëm shpirti i tij prej krijuesi e di ( po dhe të tjerët që përjetuan si ai) vuloset e nënshkruhet te pjesa e fundit e kësaj poezie të lartësuar, e cila ( siç e thamë dhe në fillim ) është dhe nbetet çelësi për të hyrë në botën e tij poetike:
Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull
motorët e metaforave,
në djall, thashë, këmishët e hekurosura, oportuniteti
dhe bisedat eklektike mbrëmjeve,
në djall programimi i jetës,
oraret e përpikta për medikamentet dhe filmat.
Një “të rrëfyer” si në këtë poezi, do ta dëshironte dhe lakmonte secili poet, po ja që zari a fati e deshi Agim Maton.
“Mea Culpa”, nga cilido që ka “kaluar” nëpër poezinë e Agim Matos, ka qenë stacion i parë i ndalesës. Thjeshtë, e pakapërcyeshme kjo poezi pa u ndalur secili prej nesh, për ta shuar etjen, jo me ujë po me art.
Kjo poezi edhe i paraprin përzgjedhjes së parë poetike të Agim Matos që u botua në Kosovë (edhe pse me një vonesë shumë të madhe), e cila doli më 2018 falë përzgjedhësit dhe studiuesit të shquar të letërsisë, prof. dr. Anton Nikë Berishës, me një titull po ashtu simbolik e metaforik: “Shkretëtirë harrimi”.
Për korrektësi, duhet përmendur se në Kosovë, për herë të parë portreti letrar i Agim Matos u shpalos dhe shtjellua në një takim rajonal poetik, në Grykën e Karadakut, i titulluar “Trekëndëshi poetik i paqes” në praninë e krijuesve të katër shteteve nga Ballkani. Po, edhe kjo është pak për një emër si ai dhe për një thesar poetik që na la.
Studiuesit e letërsisë, e kanë për borxh të merren më shumë me botën poetike të këtij poeti, vlera e të cilit kalon caqet kombëtare e ballkanike. /2LONLINE/