Kombëtarja e Kosovës në futboll së shpejti do të zhvillojë një ndeshje miqësore me kombëtaren e Gjermanisë.
Kjo u bë e ditur sot në një takim që përfaqësuesit e FFK-së patën me përfaqësues të Federatës së Gjermanisë ku edhe u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi.
Në këtë takim u mësua se Gjermania ka qenë një kundërshtar i mundshëm edhe para ndeshjes ndaj Gjibraltarit, por ka qenë vetë trajneri Bernard Challandes ai i cili ka zgjedhur një kundërshtar më të dobët duke parë edhe ecurinë e rezultateve të Kosovës në ndeshjet kualifikuese për në Euro 2020.
Nënkryetari i nderit i Federatës Gjermane të Futbollit, Rianer Milkoreit u shpreh se tash e disa vite ka bërë kërkesë në Federatën e Gjermanisë dhe një ndeshje e tillë do të luhet në një të ardhme të afërt, por nuk do të jetë vetëm një miqësore e thjeshtë.
“Ne e kemi thënë edhe në prononcimet e tona të mëhershme. Ne kemi bërë një kërkesë në Federatën e Futbollit të Gjermanisë, qysh në kohën para pranimit në UEFA e FIFA, por jo vetëm për një lojë të thjeshtë miqësore por edhe një lojë me benificone, të cilën Gjermania e organizon çdo dy vite, nga e cila lojë përfitojnë të dy Federatat dhe unë kam biseduar para një viti e gjysmë, dy vite, kemi gjetur një mirëkuptim të jashtëzakonshëm, por duhet dy vjet përpara të bëhet kërkesa për atë lojë”, tha Milkoreit.