Një muaj më parë, më 3 mars, FFK-ja e kishte publikuar një reagim ndaj lajmit që e ashtuquajtura Federatë Serbe e Futbollit në Kosovë (FSFK) e kishte emëruar president Milan Radoiçiqin, i cili është i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.
Federata e Futbollit të Kosovës kishte kërkuar ndihmë nga Federata Shqiptare e Futbollit gjatë kohës kur po tentonte të anëtarësohej në dy shtëpitë e mëdha të futbollit, UEFA e FIFA. Për këtë ndihmë, FFK-ja ka nevojë përsëri tani.
Edhe pse është vetë anëtare në UEFA, Kosova ka nevojë përsëri për ndihmën e FSHF-së pasi që presidenti i saj, Armand Duka, është anëtar në Komitetin Ekzekutiv, organin më të lartë organizativ në UEFA.
Ankesa e FFK-së
Një muaj më parë, më 3 mars, FFK-ja e kishte publikuar një reagim ndaj lajmit që e ashtuquajtura Federatë Serbe e Futbollit në Kosovë (FSFK) e kishte emëruar president Milan Radoiçiqin, i cili është i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.
FSFK-ja po tentonte që ta merrte kontrollin për zhvillimin e garave të futbollit në veri të Kosovës. Për shkak të këtij tentimi, Kosova e publikoi një reagim ku theksonte se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në Kosovë.
“Së këndejmi çdo tendencë për të themeluar një të ashtuquajtur Federatë serbe të futbollit për Kosovë për të organizuar gara në futboll, është e papranueshme dhe e konsiderojmë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë e FFK-së. Ndaj, FFK-ja nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që një organizatë e tillë ilegale të organizojë gara në territorin e vet”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga FFK-ja.
Takimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s
Duka dhe 15 anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s priten të marrin vendim për këtë problem në takimin e tyre të radhës. Ky Komitet takohet çdo dy muaj dhe takimi i fundit është mbajtur më 7 shkurt të këtij viti, në Romë të Italisë.
FFK-ja pret që UEFA ta përkrahë Kosovën në këtë çështje, megjithatë tregon se FSFK-ja do ta ketë të pamundur të kryejë çfarëdo aktiviteti në Kosovë, pavarësisht vendimit që merret nga shtëpia e futbollit evropian.
“Ne kemi informata që këto veprime të Federatës Serbe të Futbollit në Kosovë ekzistojnë vetëm në letër. Ata e kanë të pamundur të kryejnë aktivitete këtu, veçanërisht kur e kemi parasysh që Radoiçiqi kërkohet nga policia jonë”, shtoi Ademi.
Për këtë problem është ankuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik.