Komuna e Vitisë, po vazhdon të përkrah fermerët vitias me mekanizma bujqësorë. Me këtë rast sot u bë dorëzimi i 30 frezave për fermerët përfitues nga kjo komunë.
Në pranim dorëzimin e tyre i pranishëm ishte kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira. Kryetari Haliti pos që i ka uruar fermerët përfitues ka thënë se qeverisja lokale e Vitisë mbetet e përkushtuar të përkrahin fermerët vitias të sektorëve të ndryshëm për të zhvilluar kulturat e tyre bujqësore.
“Do të vazhdojmë të lehtësojmë punën e fermerëve edhe me mekanizmat bujqësorë. Vitia ka një traditë të mirë të kultivimit të kulturave bujqësore. Vitia poashtu ka kushte të mira për zhvillimin e gjithë sektorëve dhe nënsektorëve të Bujqësisë. Po bëjmë përpjekje që çdo vit të përkrahim deri 500 fermerë me mekanizma bujqësore e pajisje tjera të nevojshme”, u shpreh Haliti.
Ndërkaq Naim Pira, drejtor i Bujqësisë në Viti, ka theksuar se blerja e këtyre mekanizmave është bërë me buxhetin komunal të Vitisë, por së fermerët përfitues kanë participuar me 20% të vlerës. Ai tha se vlera e përgjithshme e furnizimit me këto freza që janë të madhësisë 1.8m dhe të dedikuar për përdorim me traktor, është mbi 26 mijë euro.
Ai tha se pritet së shpejti të bëhet edhe shpërndarja e mekanizmave të tjerë duke shtuar se komuna e Vitisë dhe drejtoria e tij, do të vazhdojnë të përkrahin fermerët vitias. /2LONLINE/