“Këtë vit procesi i mbjelljes së grurit është zhvilluar shumë mirë në komunën e Gjilanit. Gjatë tërë muajit tetor koha ishte e mirë, ndërsa toka kishte lagështinë e duhur. Fermerët e shfrytëzuan rastin dhe e kryen mbjelljen e grurit brenda afatit optimal”, ka thënë Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi.
Sipas tij, sa i përket repromaterialit nuk ka pasur probleme sepse barnatoret bujqësore kanë qenë mirë të furnizuara me repromaterial, farë dhe plehra minerale.
“Si çdo vit edhe këtë vit, Drejtoria për Bujqësi në Gjilan është kujdesur për të subvencionuar fermerët me farë cilësore të grurit. Për këtë qëllim janë shpërndarë 200.000 kg farë për 1130 aplikues përfitues, të cilët i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara për subvencione”, ka thënë Isufi.
Ai tha se kultivimi i grurit ka rëndësi strategjike për vendin tonë sepse bëhet fjalë për sigurimin e bukës për popullatën. Edhe kushtet agroekologjike janë të përshtatshme për kultivimin e kësaj kulture bujqësore.
Drjetori Bajram Isufi tha edhe se ndër sfidat që e përcjellin këtë kulturë bujqësore mund të përmendim: ndryshimet klimatike që janë duke ndodhur kohëve të fundit, mekanizmi jo adekuat dhe i vjetruar, përdorimi farërave jo cilësore, pamundësia për ta plehëruar sa duhet dhe problemet me masat mbrojtëse nga sëmundjet, dëmtuesit dhe barojat e këqija.
“Për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe të suksesshme të kultivuesve të grurit, është e domosdoshme që të merren masa të koordinuara nga fermerët dhe Komunat. Investimet në teknologji, edukim dhe mbështetje financiare janë thelbësore për përmirësimin e rendimentit dhe cilësisë së grurit në të ardhmen”, ka thënë Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi. /2LONLINE/