Në kuadër të shënimit të 20 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, Komuna e Gjilanit, nën përkujdesjen e Lutfi Hazirit, ka nisur shënimin e aktiviteteve maratonike.
Në kuadër të kësaj, me një ceremoni të veçantë, fëmijët e çerdhes “Dardania”, kanë shpërndar 120 dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët trajtohen në shoqatën Handikos.
Ndërkohë, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar se në konferencën Mayors of the Children të mbajtur me ftesë të UNICEF në Athinë, është nënshkrues i kësaj Konvente në emër të gjilanasëve, duke theksuar se Gjilani është shembull në organizimin, mbrojtjen dhe integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Ne këtë ceremoni të organizuar nga fëmijët e çerdhjes në krye me drejtoreshën Shqipe Kastrati Haziri, kanë marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi Emini, drejtori i DKA’së, Nazim Gagica, u.d drejtoresha e DKRS, Deniza Limani, drejtori i QPS, Mursel Zymberi, kryetari i këshillit të fëmijëve aty, Gëzim Kllokoqi, sikurse edhe përfaqësues të shoqatës Handikos.
Shënimi i kësaj dite ka filluar me vizitën e delagacionit nga Asambleja e Fëmijëve në tri shkolla fillore, dhuratat në IP Dardania, për të vazhduar me aktivitet për fëmijët e zgjedhur nga Hendikos, Asambleja e Fëmijëve, fëmijët nga komunitetet e nga shkollat fillore, të mbështetur nga ‘Albanica’, ‘Kimi’ dhe ‘Mix Shop”.
Ndërkohë, gjatë ditës përfaqësues të Komunës, së bashku me këshillin e nxënësve, do të zhvillojnë një takim me Ambasadën e ShBA’ve, për projektet e ardhshme në kulturë, rini, sport dhe arsim, për të kulmuar me programin e përgatitur nga qendra e vallëzimit modern “Dancing House”, ku përfshihet vallëzimi modern, balet dhe popullore, i cili do të mbahet me fillim në ora 18:00, në Teatrin e Qytetit.