Policia e Kosovës arrestoi mbrëmë tetë tifozë çekë, të cilët kishin planifikuar ngritjen e një droni mbi stadiumin “Fadil Vokrri” me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Policia gjithashtu kishte gjetur edhe mjete piroteknike dhe thika tek një tifoz. Për këto ndalesa ka reaguaf Federata e Futbollit në Çeki.
“Ne mund të konfirmojmë që një grup prej tetë tifozësh çekë janë arrestuar nga policia afër Prishtinës, gjashtë burra e dy gra. Ky grup po mbante një dron, një flamur serb dhe një baner ‘Kosova është Serbi’. Në të njëjtën kohë mjete piroteknike dhe thika”, ka thënë zyrtari i Federatës së Futbollit të Republikës Çeke, Michal Jurman.
“Federata dhe ekipi i futbollit çek dëshiron të qartësojë se ne refuzojmë një sjellje të tillë të tifozëve që e lidh politikën me sport. Situata momentalisht është duke u kontrolluar nga policia e Kosovës, policia çeke dhe ambasada çeke”, shtoi ai.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës konfirmoi se “janë konfiskuar përkohësisht dokumentet e udhëtimit si dhe të gjitha pajisjet e gjetura tek ta (tifozët çekë) dhe të njëjtit të lirohen në procedurë të rregullt“.