Anglia do të jetë nikoqire e Kosovës në ndeshjet kualifikuese për Evropianin 2020, ndërsa ndeshja do të zhvillohet në Angli.
Si zakonisht interesimi për ta përkrahur Kosovën nuk mungon, ndërsa në një prononcim së fundmi, zv.sekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti, ka thënë se Federata e Anglisë e ka për obligim të rezervoj 5% të biletave për tifozët e Kosovës.
Deri tani Kosova asnjëherë nuk ka udhëtuar në formë të organizuar me tifozë në një ndeshje jashtë vendit, por ndaj Anglisë mund të jetë hera e parë. Megjithatë, që kjo të ndodhë duhet të plotësohen disa kushte.
“Sipas rregullores së UEFA-së, ata janë të obliguar që të ndajnë 5% të biletave për tifozët tanë, nëse Federata i kërkon. Nëse shkojmë, FFK-ja duhet të dërgoj atje stjuardë dhe policë që do të garantojnë sigurinë e tifozëve tanë. Ka interesim të madhë nga tifozët por kjo është kompetencë e Komitetit Ekzekutiv që të vendos pro apo kundër”, deklaroi Ahmeti për Indeksonline.
Ndeshja Angli – Kosovë zhvillohet me 10 shtator në stadiumin e Southamptonit St. Mary’s. Kapaciteti i këtij stadiumi është 32,505 ulëse dhe 1,600 ulëse i takojnë tifozëve “Dardanë”.